Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare në Tv Klan është bërë Tereza e cila tregon se ish-burrin e saj e ka njohur në moshën 18 vjeç dhe një vit pasi u njohën vendosën të fejoheshin. Ajo ka treguar se gjatë gjithë kohës kanë folur në telefon dhe nuk janë takuar të pinin kafe sepse në fshatin ku jetonin ata, kjo gjë nuk ishte normale.  Tereza tregon se e folura vetëm në telefon nuk mjafton për të njohur një person.

Familja e Terezës nuk ishin dakort për martesën e tyre, por pavarësisht kësaj ata u martuan.  Ajo pas martesës shkoi të jetonte me burrin në Burrel, ku e priste një realitet krejt ndryshe na sa e kishte menduar. Ai jetonte në varfëri, por gjëja që e ka zhgënjyer më shumë ishte se burri i saj luante bixhoz.

Tereza: I thashë të ikim me shtëpi në Durrës edhe pranoi. U vendosëm në Durrës me qira. Sapo vajtëm atje nuk kishte asnjë ndryshim. Aq më keq madje. Çdo Lekë që i vinte në dorë, bixhoz.

Ardit Gjebrea: Ishte i vetmi ves që kishte, apo kishte dhe të tjera?

Tereza: Nga fundi nisi dhe dhunën, po që nuk zgjati shumë sepse e lashë dhe ika.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë keni bashkë?

Tereza: Dy, djalë dhe vajzë.

Ardit Gjebrea: Po para në shtëpi jo ë?

Tereza: Asnjë gjë. Të gjitha vetë. Kam punuar në fabrikë këpucësh dhe në momentin që harroja ndonjëherë kartën e bankomatit , se nuk e kam lënë të tërheqë rrogën, e gjente, e tërhiqte rrogën dhe e linte të gjithë në bixhoz, pa paguar qira, pa paguar drita, pa ngrënë, pa pirë asnjë gjë. Me borxhe.

Tereza tregon se është përpjekur shumë të flasë me të dhe ta bindë, madje i është ulur dhe një gjunjë dhe ka qarë, por çdo gjë ka qenë e kotë.

Tereza tregon se prindërve nuk i ka treguar kurrë për problemet që ka pasur dhe gjithmonë i thoshte që është mirë. Dënonte veten sepse mendonte që e ka zgjedhur vetë pa marrë pëlqimin e prindërve dhe tani duhet t’i vuajë vetë pasojat

“Kam qëndruar 3 ditë pa ngrënë para se të lindte çuni, nuk kishim bukë në shtëpi”

Tereza e cila ka ardhur tek rubrika “ Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare në Tv Klan, ka treguar historinë e trishtë që ka kaluar në jetën e saj. Ajo ka qenë e martuar me një burrë i cili nuk punonte dhe çdo Lekë që i binte në dorë e luante bixhoz. Kjo gjë ka bërë që ata të vuanin edhe për bukë. Kur ka qenë shtatzënë në fëmijën e dytë, Tereza tregon se 3 ditë deri në ditën e lindjes ajo nuk ka ngrënë asnjë gjë dhe nuk e dinte se a ishin dhimbjet e lindjes apo kishte probleme nga të ushqyerit. Tregon se ka shkuar në maternitet me urban dhe Lekët i ka marrë borxh nga një shoqe e saj.

Tereza: Në shtatzëninë e dytë kam qenë shumë keq. Kam kaluar periudhën më të keqe të jetës sime. Thoja si do rritet ky fëmijë. I kam lut Zotit të dështoj, o Zot më fal. Pasi e mora veten i thashë, të lutem, e nisi Zoti dhe këtë fëmijë, ktheju punës, ktheju jetës, ta rrisim mirë këtë fëmijë dhe vajzën. Ardit veç më keq u bë.  As nuk donte ta dinte se kishte fëmijë.  Për bukë kemi vuajtur, tre ditë para se ta lindja çunin. S’kam pasur bukë, domethënë 3 ditë pa ngrënë bukë. Kur më kanë ardhur dhimbjet e lindjes, nuk e dija se çfarë kisha. A kisha prej lindjes apo prej bukës. Kam ikur me urban në maternitet, edhe 1 mijë Lekshin e urbanit ia kam marrë një shoqeje.

Kam lindur të nesërmen në 5 të mëngjesit, kam marrë mamin në telefon, është nisur prej Puke dhe më ka sjellë për të ngrënë, i ka blerë gjërat që i nevojiteshin bebes. Nëse nuk do kishte ardhur ajo, nuk e di si do kisha dalë prej spitalit. Nuk kisha asnjë batanije ta mbështillja foshnjën.

Pas ndarjes nga bashkëshorti, Tereza mori një shtëpi me qira në Shkodër e cila vazhdoi të jetonte me fëmijët e saj.  Shoqata SOS e ka ndihmuar me çerdhen dhe kopshtin e fëmijëve i ka kërkuar në 2019 më 8 Mars që të jepte një mesazh ku të shprehte energjinë, guximin, forcën për gratë të cilat janë të dhunuara nga burrat. Kjo video u bë virale dhe u përhap në rrjetet sociale. Falë kësaj video ajo njohu Eneidën e cila jeton në Amerikë.

Eneida është prekur nga video që ka parë dhe e ka kontaktuar në Facebook, ku i ka kërkuar numrin e telefonit që të flisnin më gjatë.

Tereza: Më thotë kam shumë dëshirë të të takoj a mundesh nesër? Unë i thashë pas pune sepse para nuk mundem. Kam shkuar ta takoj pas pune me dy fëmijët dhe kishte si dëshirë që të më jepte mua dhe fëmijëve disa të holla. Kam ngelur pa fjalë. Sot e asaj dite, më kujtoj ajo për 8 Mars, që unë nuk kam festuar kurrë 8 Mars, për Bajram, për fillim shkolle dhe çdo fund vit. Ajo na kujton çdo herë edhe pse është në Amerikë.

Ardit Gjebrea: Ju dhuron ndihma?

Tereza: Po. Kur jemi mbyllur në karantinë na ka dërguar gjithë ato ushqime, plus të hollave.

Ardit Gjebrea: Ajo ka ardhur nga Amerika?

Tereza: Po.

Ardit Gjebrea: Dhe ti dëshiron ta takosh këtu?

Tereza: Normal.

Eneida: Shumë shqiptarë në Amerikë e bëjnë paketën vetëm për të Dielën Shqiptare.

Eneida pasi shikon që mbrapa ekranit është Tereza, përlotet dhe shprehet se duhet bërë zemra më e madhe për të ndihmuar të tjerët që janë në nevojë. Përderisa ajo ka një jetë të mirë dhe të lumtur, pse mos ndihmojë dikë tjetër që t’i rregullohet jeta.