Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me sulmin kibernetik që ka pësuar Shqipëria, e cila bllokoi sistemin TIMS, ADAM, por edhe MEMEX. Sipas burimeve për “News 24” bën me dije se hakerat arritën të merrnin të gjitha informacionet kofidenciale që mbarte sistemi TIMS dhe tani kanë nisur që ta shesin. Por ka dhe një detaj tjetër, mësohet se së bashku me hakerat iranianë ka bashkëpunuar dhe një shtetas shqiptarë.

Po ashtu, të njëjtat burime bëjnë me dije se autoritetet shqiptare kanë akses vetëm në sistemin TIMS kombëtar, por jo në atë ndërkombëtar, duke e bërë të vështirë ‘filtrimin’ e personave që hyjnë dhe dalin nga vendi. Ndër sistemet e tjera të hakeruara janë ADAM, i cili ka të gjitha ngarkesat penale të qytetarëve të arrestuar, ndaluar, apo të dyshuar për një ngjarje kriminale; sistemi MEMEX, i cili ka informacione sekrete mbi ngjarje; si dhe sistemi i Menaxhimit Policor të çështjeve, i cili ka gjitha veprimet e kryera nga Policia. Të gjitha këto sisteme kanë dobësuar sigurinë kombëtare.

Nga ora 20:00 e datës 9 shtator sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar u godit nga një sulm kibernetik. Në fillim u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar “Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK”.

Menjëherë kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi. Kreu i ekzekutivit u shpreh se po punohej me aleatët që sistemet të mbetën të pa penetrueshme nga sulmet dhe një ditë më pas sqaroi opinionin publik se asnjë e dhënë nuk është prekur nga sulmi. Por, hakerat tashmë po shesin të dhënat e TIMS. Iran International shkruan se Hamid Reza Lashgarian; Mohammad Hossein Shirinkar; Mohammad Bagher Shirinkar dhe Seyyed Mehdi Hashemi Toghroljerdi, janë autorët kryesorë të këtij sulmi, por mendohet se ka edhe të tjerë të përfshirë.