I zhdukuri dhe i shumëkërkuar nga policia, Ervis Martinaj, është bërë edhe sot pjesë e diskutimeve politike. Ka qenë deputeti i PD, Flamur Noka i cili duke folur në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ka ngritur shqetësimin e tij për situatën e sigurisë në vend.

Noka ka hedhur akuza ndaj policisë dhe Ministrinë e Brendshme se autorët nuk kapen e nuk zbulohen, por referuar dëshmisë së të penduar të drejtësisë, ai u shpreh se vetëm Nuredin Dumani ka zbuluar ngjarje dhe emra autorësh.

Noka gjithashtu ka folur edhe për zhdukjen pa gjurmë të të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, për të cilin tha se “shteti ka ngritur duart lart”

“Është zhdukur një qytetar i një vendi e vetëm dëgjohen versione nga qytetarët e portalet e nga shteti e policia nuk jepet asnjë version. A është zhdukur, a është gjallë a ka ikur a mos është dhe ai këtu, pra të ndodhë një situatë e tillë nën këtë vend e shteti ngre duart përpjetë.

Të vriten njerëzit si lepujt e askush nuk zbulon e parandalon e askush nuk di se çfarë po ndodh e kush i bën kjo ndodh vetëm në Shqipëri.

Nëse qytetarët janë të alarmuar për gjendjen e rendit e sigurisë zonja zv ministre nuk ia ndjen” tha ai.

/abcnews.al/