Po bëhet një javë tashmë që nga momenti kur kryeministri Rama i dha ultimatum Policisë së Shtetit për të zbuluar fatin e të zhdukurit Ervis Martinaj. Ditën që prezantoi kreun e ri të Policisë, Muhamet Rrumbullakun, Rama i kërkoi atij dhe policëve që të shpreheshin mbi fatin e Martinajt.

Kryeministri tha konkretisht: Nëse është vrarë (Ervis Martinaj sh.r), thoni që është vrarë, nëse nuk është vrarë gjejeni dhe dërgojeni para drejtësisë!

Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn?

Policia nuk ka një version zyrtar në lidhje me çfarë ka ndodhur me të, megjithatë në media deri më tani kanë dalë dy versione kryesore. Një pjesë e gazetarëve të kronikës raportojnë duke iu referuar një videoje që ata thonë se e kanë parë, se Ervis Martinaj është kapur nga kundërshtarët e tij dhe është ekzekutuar. Ndërkohë, versioni tjetër lidhet me një skenar në lidhje me zhdukjen e tij me qëllim shmangien nga policia e cila e kishte shpallur në kërkim, por edhe prej kundërshtarëve pas vrasjeve të fundit në rrethin e tij shoqëror.

“Tërmeti”

Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.

Kush është “mbreti” tani

Mësohet se përballë Ervis Martinajt janë organizuar disa grupe kriminale, të cilat kanë patur një qëllim të vetëm: Largimin e tij nga “loja” pasi ishte kthyer në një personazh që kishte prishur balancat e marrëdhënieve mes krimit, politikës dhe botës së biznesit. Hoxha paralajmëroi gjatë intervistës në ABC se grupi në fjalë, i cili ka financa tepër të shëndosha si edhe një grup të armatosur profesionistësh janë ata që do të mbretërojnë gjatë dekadës së ardhshme në fushën e krimit të organizuar.

Kush e donte të vdekur Ervis Martinajn?

Mësohet se një ndër ndërhyrjet më të forta të Martinajt në këtë trekëndësh ka qenë momenti kur u tentua monopolizimi i tregut ta basteve në Shqipëri, pak vite pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” që e goditi rëndë atë në fund të vitit 2013. Bëhet fjalë sipas Hoxhës për kompaninë “Bast Arena”, në të cilin tentuan të futeshin në lojë një politikan i njohur, i shpallur madje “non grata” nga SHBA-të; një biznesmen i fuqishëm si edhe një i afërmi i një politikani tepër të rendësishëm në vend.

Hoxha u shpreh se me ta mësuar këtë, Martianaj kishte kontaktuar me të tre duke iu thënë se duhej të hiqnin dorë nga kjo tentativë për ta nxjerrë atë tërësisht nga loja. “Bast Arena” u mbyll pak muaj më pas sipas Hoxhës.

Largimi nga skena i Ervis Martinajt mund të çojë në një rigjallërim të tentativave për të monopolizuar tregun e basteve në Shqipëri përmes dhënies së ndonjë licence kombëtare. /abcnews.al