Ujërat e paqta të liqenit të Shkodrës “u trazuan” nga prania e bukur e gondolave veneciane, të cilat i shtuan ngjyrën dhe hijeshinë peisazhit të mrekullueshëm të Shirokës turistike, pasditen e së dielës.
Një grup i ardhur nga Venezia, të pasionuar pas udhëtimeve të natyrës dhe në kuadër të promovimit të udhëtimeve me bazë ekologjike zgjodhën liqenin e Shkodrës për ta përshkuar me anijet e tyre tipike veneciane. I pranishëm në pritjen e italianëve ishte edhe kryetari i bashkisë, Bardh Spahia, i cili thekson se kjo është edhe një mundësi e mirë për ta rigjallëruar lundrimin ujor në liqenin e Shkodrës.Lundrimi me gondola i italianëve në liqenin e Shkodrës u ndoq me interes edhe nga të pranishmit aty rrotull ndërsa u bë edhe për faktin e lidhjeve historike që në shekuj kanë ekzistuar në mes Shkodrës dhe Venedikut të dikurshëm.

Rrugëtimi do të vijojë për disa ditë me radhë me destinacion Malin e Zi e pikërisht një prej vendburimeve të këtij liqeni siç është Rijeka Crnjevica për t’u kthyer më pas sërish me 16 shtator po në Shkodër. Për të mirëpritur italianët u organizua edhe një koncert në shëtitoren e Shirokës.