Sektori i shërbimeve të furnizimit me ujë në Shqipëri prej vitesh është në një mungesë investimesh të rëndësishme.
Gjendja e infrastrukturës në sektorin e ujit është e vjetër si dhe mungon mirëmbajtja e duhur. Kamera e Fiks Fare në një vëzhgim disa ditor në disa depo uji si dhe në stacionet e pompimit,vuri re se brenda këtyre objekteve kushdo mund të futej lehtësisht në çdo kohë dhe askush nuk të ndalon.
Në depon kryesore të ujit të qytetit të Laçit e vetmja masë sigurie që shihet është vetëm një rrjetë rrethimi dhe një portë e vjetër e amortizuar nga koha. Gazetarët e Fiks Fare kishin informacion se shumë pranë hyrjes kryesore ndodhej dhe një tjetër rrugë alternative. Në pak metra nga hyrja kryesore rrjeta e rrethimit të depos ishte e çarë dhe nëse ndiqej shtegu përmes kësaj rrjete të dërgonte mbi tarracën e depos.
Kapakët e së cilës ishin të hapur. Një tjetër depo po aq e rëndësishme në po të njëjtin qytet është ajo e Fushë-Kuqes e cila furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Durrësit, Rrogozhinës, Gjirin e Lalëzit dhe Kavajën. Gazetarët provojnë të futen brenda këtij objekti dhe askush nuk i sheh e pengon, në fund të objektit ndeshen me disa punonjës të cilët thonë se për çështjen e sigurisë duhet të pyesim shtetin, pasi shumë kohë më parë kjo depo është ruajtur me policë.
Në një tjetër objekt të rëndësisë së veçantë në qytetin e Elbasanit gazetarët e Fiks-it arritën të futeshin brenda ambienteve të depos së ujit pa i identifikuar asnjë. Gjithashtu në depon e ujit të qytetit të Vorës pranë këtij objekti gazetarët takuan vetëm një punonjës i cili u shpreh se veç rolit të elektropompistit kryente dhe rolin e sigurisë. Edhe pse me një punonjës në turn kjo depo ishte e pasigurt, pasi kapaku kryesor i saj ishte i ndërtuar nga një fletë llamarine lehtësisht e lëvizshme. Në qytetin e Krujës aty ku vetëm një vit më parë u helmuan shumë qytetarë, në depon kryesore ishte lehtësisht i mundur kalimi përmes një hapësire pranë portës kryesore.
Aty vihet re një makine e braktisur që më shumë i ngjante një dhome ndjenje, në atë objekt nuk ndodhej asnjë. Po ashtu në njërën prej dhomave të pompave të kësaj depoje, çelësi i derës kryesore ndodhej nën një gurë. Administratori i Ujësjellës Kanalizimeve Krujë i pyetur nga Fiksi tha se lënia e çelësit në atë mënyrë është një gabim trashanik i punonjësit dhe se rojet e sigurisë janë të reduktuar në numër për shkak të mungesës së fondeve që ka shoqëria./ Top Channel
Comments are closed.