Nga Mevlan Shanaj
Besoj jo vetëm në përshtypjen time të hershme nga vitet 60 po te çdo shqiptar tjetër Ndreka vinte me pamjen e një malësori të fortë.
Krijimtaria e tij në fillimet i dha një ngjizje me publikun dhe gjatë gjithë jetës vetëm e përsosi jo vetëm mjeshtërisht, por edhe si burrë me temperament të fortë imponues.
Kam bërë një dokumentarë për të, por mjerisht shumë vite pasi kishte ikur paqësisht pas një kthimi të zakonshëm me dy bukë në dorë, një për familjen dhe një për komshijen e moshuar. U ul në divan për të mos lëvizur më. Sa shumë do të doja sot ta çoja vetëm një minut dhe ti tregoja për fëmijët. Rozafën që e kishte pikë të dobët dhe krenari:
Rozafa , more, me tana dhjeta në medicinë…. Dhe në tregim e sipër kontrollonte Xherxhin! Xherxh more dreç, ku po shkon! Ky dreç është shumë trazavaç. Ja pra Ndreka shikoje Rozafën me klinikë mjeksore në USA dhe në majë të New Yorkut ndërsa Gjergji sot është i famshëm në tërë Shqipërinë me biznesin e tij. Mimi ende ashtu e bukur elegante!
Kujtoj , më 1975 ishim në Korçë pasi na kishin dhënë dietat u fute në lojë, poker, i humbe të gjitha si do bëje për 15 ditë?! Të nesërmen pagatori po nisej për Tiranë dhe unë të them, jepi autorizim të tërheqi rrogën! Ti më the: Je i marrë a si?! Nuk e kisha kuptuar këtë, dhe ja them Mimit, kur po bëja dokumentarin që Ndreka druhej nga ti?
Mimi , më thotë , nuk e ulte hundën para meje, ndaj ka thënë ashtu! Ky Ndreka në dukje kaq i vrazhdë më ka çuditur, kur isha në vilën e Gjergjit me pushime në Greqi , në raft të librave së bashku me Natashën u befasuam nga shënimet e Ndrekës mes botimeve në italisht të mendimeve të përzgjedhura.
Dija nga Mimi se kishte pasion për muzikën klasike! Kujtoj një natë erdhi me Mimikën në shtëpi dhe direkt pa hyrje dalje më tha:
Jam munduar për Gjergjin me Shokun Anastas, Shokun Foto, nuk më kanë bërë gjë, ma kanë caktuar në Estradën e Lushnjës, ti ke mundësi të ma sjellësh djalin në Tiranë dhe me gjithë vrullin e tij gjatë bisedës që nuk u ul as një minut lëvizte nëpër shtëpi dhe nuk i dilte inati apo fyerja që atij Ndrekë Lucës, ja kishin çuar djalin jashtë Tirane ,jashtë shtëpisë. Ndodhi siç Ndreka donte, së bashku me Ylli Kokonën nisemi në Lushnje dhe gjeta mirësinë e kryetarit të Komitetit që quhej edhe ai Gjergji!Erdhi Luca i vogël në TVSH e mora si asistent! Gjithë jetës më ishte mirënjohës ! Në dasmën Gjergjit sigurisht e bëri të njohur mes njerzëve që ishim në një tavolinë!
Ndodhi që në ditën e ikjes , unë nuk isha në Shqipëri, por i biri më lajmëroj me telefon. Nga Ndrekë Luca ruaj kujtimin më të bukur të profesionit. Ishte autori dhe regjisori i vetvetes. Krijonte shtesa për rolin , ishte aktori që i vinte rëndësi të madhe krijimit të karakterit nga ana e jashtme. Ai po thuaj çdo karakter e krijonte në dhomën e grimit edhe duke vendosur si me dhunë shtesa të dukshme në portret por në fund i rezultonin me sukses.
Nuk ka portret normal në krijimet e tija, por së bashku me të vetë ndjerit i jepte karakterit vulën Ndrekë Luca! Ishte aktor i madh dhe mbeti i pavdekshëm në koshiencën e çdo shikuesi! Çuditesha me energjitë e tija. Rikardi më patë thënë: Çuditërisht hante shumë pak! Ndër porositë e tij i kish thënë të birit: Po të le të varfër , por me faqe të pastër.
Comments are closed.