Pretash Nilaj është njëri nga rapsodët më të njohur të zonës së Malësisë së Madhe. Lidhja e tij me lahutën dhe instrumentët e folkut tonë i ka rrënjët që fëmijë i vogël, pa vajtur ende në shkollë, trashëguar nga babai i tij. Që nga ajo kohë ai nuk i është ndarë më atyre dhe me to ka përfaqësuar zonën kudo nëpër aktivitete të ndryshme.

Më shumë se çdo instrument tjetër, lahuta është në zemrën e tij dhe këtë rapsodi e arsyeton me faktin se ajo ka qenë një simbol në shtëpitë e Malësisë.

Teksa diskuton me të, ai mburret me Kelmendin prej nga vjen e në mënyrë të veçantë për fshatin Vukël, për traditat që zona mbart dhe ka trashëguar brez pas brezi.

Dashuria për instrumentat folklorikë shfaqet në dimensionin më të gjerë të tyre, kjo pasi Pretash Nilaj i ndërton dhe punon lahutat dhe çiftelitë prej shumë vitesh në punishten e tij që ndodhet në Shkodër. Ai këtë pasion ja ka përcjellë mjaft mirë edhe nipave të tij sepse sikurse e thotë edhe vetë ai, detyra e kujtdo është t’i brymosë më të rinjtë me vlerat më të mira të traditës kombëtare.

Largohemi nga punishtja ku Pretash Nilaj kalon kohën më të madhe të ditës së tij, aty ku ka ngulur thellë dëshirën dhe përkushtimin për këto instrumente të traditës ndërsa na përshëndet me tingujt e lahutës krenare.