Dashnor Kaloçi

Pjesa e tetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë.

Dokumentacioni i plotë, (tashmë i de-klasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan atë vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

I N F O R M A C I O N

Me datën 24 nëntor prita Zhanet Petri, gazetaren e Nënë Terezës. Pas ii shpreha kënaqësinë për shëndetin e nënë Terezës, u interesova se si i kaloi ditët në Shqipëri.

Petri tha: Ju falenderoj që më lejuat të vij në Shqipëri dhe për kujdesin që treguat me dy shoqet që më shoqërojnë. Unë erdha në Shqipëri me porosi të nënë Terezës që të sjell disa letra si për Presidentin Ramiz Alia, Nexhmije Hoxhën dhe juve.

Takova Adelinën dhe i dhashë letrën për Ciril Pistolin.

Dëshira e Nënë Terezës është që ajo pasi të shërohet të kthehet në Shqipëri, së bashku me motrat, Brenda këtij viti.
Unë dëshiroj që këto letrat t’u jepen personave që u drejtohen dhe të më jepet një përgjigje ose të fillohet të mendohet për këto propozime.
I fola se shoqëria jonë është një shoqëri që në radhë të parë ka kujdesin për njeriun, t’i krijojë atij gëzim dhe t’i gjendet pranë në momentet e vështira.

Tek ne fëmijët janë organizuar në çerdhe e kopshte, për ata me të meta mendore ka shkolla speciale, ka spitale për të sëmurë psikik, shërbimi shëndetësor është falas, që në Shqipëri lindshmëria stimulohet, që ne fatkeqësinë që i ndodh një familjeje, merr pjesë e gjithë shoqëria dhe përmenda fatkeqësinë e datës 23 nëntor, të cilën ajo e kishte dëgjuar.

I vura në dukje se duke vlerësuar kontributin tuaj, i cili është human e njerëzor dhe që në Indi, Amerikën Latine dhe Bashkimin Sovjetik, etj., gjen fushë veprimi, pse ka njerëz të mbetur rrugëve, të pa strehë e pa ndihmë, fëmijë të braktisur, pleq pa shtëpi, të droguar, njerëz me sëmundje shfarosëse e ngjitës.

Këtu tek ne këto nuk gjenden, për arsye se ekzistojnë institucionet shtetërore në të cilën punojnë me qindra djem e vajza si mjek, infermiere, si kujdestare e edukatore, prandaj çdo mision tjetër, sipas mendimit tim do të ishte i panevojshëm.

Zhanet Petri pas kësaj tha: Nëna e pranon këtë realitet dhe për këtë ajo, ka filluar të flasë dhe është krenare që është shqiptare”.

Ajo mendon se megjithëse në Shqipëri janë bërë të gjitha punët shumë mirë, dëshiron të vijë me motrat me dhanë këtë dashuri për njerëzit.
Nëna, shtoi ajo, “e mori letrën e Presidentit dhe u kënaq shumë, e lexoi disa herë por, në të nuk gjeti as po e as jo”

Unë e di, tha ajo, se këtu nuk ka probleme si në Afrikë, por qëllimi që kam ardhur është të shkëmbejmë mendime se si ta rregullojmë këtë sot ose në të ardhmen. Nuk e di cila është përgjigja juaj “po” ose “Jo”, por ajo që mbetet është të mendojmë që nga Presidenti dhe zonja Hoxha, e Kryqi i Kuq, që një ditë duhet të bëjmë diçka dhe këtë Nëna e pret.

Pastaj pyeti: “A mund të më japi Zonja Hoxha një përgjigje nëse”? I thashë që letrat do t’ia çojmë atyre që i adresohen, por përgjigje nuk mund të japin, për arsye se janë të angazhuar me festat dhe nuk e dimë a ndodhet këtu.
I thashë: megjithëse e vlerësoj misionin që kryen Nënë Tereza në ndihmë të njerëzve që vuajnë e s’kanë mbështetje si një gjest humanitar, po ta njihni realitetin shqiptar dhe ju rekomandoj të shihni dy-tre qytete e institucione, ju vetë do të bindeni se këtu tek ne njerëzit kanë shumë dashuri për njëri-tjetrin, tregojnë kujdes dhe shteti subvencionon shumë për ngritjen e institucioneve, për dhënien falas të ilaçeve, për përgatitjen e kuadrit si mjekë, infermier, edukatore çerdhe e për kopshte, mami për në fshat, kujdestare për konviktet azile, spitalet, sanatoriumet dhe të gjitha këto kujdesen për njeriun, atë që ju përpiqeni ta bëni në vende të tjera, ku gjeni njerëz të braktisur, të sëmurë e pa njeri tek ne është shoqëria që e përballon.

I dëgjonte sugjerimet me interes, i miratoi, por nga mendimi i saj “të fillojmë të mendojmë për të ardhmen”, nuk tërhiqej.

Gjatë qëndrimit këtu, vizitoi Muzeun “Enver Hoxha”, Muzeun Historik, Muzeun Arkeologjik dhe kërkoi material informative për Shqipërinë, të cilat ju siguruan. Vizitoi qytetin e Beratit (kishat dhe kalanë. Mori takim me Marie Krajën dhe vizitoi varrezat e familjes së Nënë Terezës).
Me sa vumë re, mbeti e kënaqur nga pritja e takimi.

Shënim: Bashkangjitur letrën për shokun Ramiz Alia e shoqen Nexhmije Hoxha. /Memorie.al