“E bajmë dasmën” risolli ne oborrin karakteristik shkodran te muzeut “Oso Kuka” Ahengun dhe Jaret shkodrane. Publiku tejmbushi ambjentet duke shijuar muzikën dhe interpretimet e këngëtareve të rinj dhe muzikantëve.
Gjaneto Harusha organizator i këtij eventi tha se në Shkodër nuk mungojnë aktivitetet kulturore por kësaj here ishte një kauzë e veçantë të cilës iu bashkuan qytetarë dhe vullnetarë.
“Sivjet kauza është për të ndihmuar familjet dhe fëmijët në nevojë që kanë fëmijë që janë në spektrin e autizmit. Ne mundohemi të punojmë vetëm me segmente të shoqërisë që kanë nevoja më shumë se njerëzit në përditshmërinë e tyre ndaj është arsyeja pse kemi pasur prezencë të madhe”, tha Harusha.
Drejtuesi artistik Lorenc Radovani u ndal tek vlera e ahengut shkodran dhe autenticiteti i tij.
“Unë në kujtesën time kam shumë evente festive, dasma, orekstra, orkestrën e Kafes së Madhe, orkestrën e lulishtes 1 maji, orkestrën e Turizmit të vjetër dhe instrumentistë e këngëtarë, njëri më i mirë se tjetri, të cilët kanë transmetuar artin e tyre, por i janë referuar shumë kulturës dhe traditës shkodrane”, tha Radovani.
Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave do të shkojnë për një kauzë të mirë. 10 fëmijë me çrregullime të spektrit autik në zona të ndryshme të bashkisë Shkodër do të mbështeten me seanca terapie dhe me mjete ndihmëse, teknologjike, në varësi të nevojave që ata kanë.
Comments are closed.