Nga Kolindo Vjerdha

Gjithçka nisi nga një Bord e tashmë po përfundon në filozofi. Një qeveri që harron ligjet e tregut, por me “dorë të hekurt” po i vendos të gjitha. Bota e çmimeve nuk njeh më rregull ekonomik, por vetëm diktatin e VKM-së.

Mjafton një retrospektivë e vitit të fundit për të kuptuar se sa shumë kjo qeveri po rëndon mbi jetesën e familjeve shqiptare. Gjithçka nisi me një fryrje në taksa të çmimit të naftës të cilës iu shtua edhe rritja e çmimit në bursa dhe u përmbyll me diktatin e Bordit, i cili ndjek rregullin e tij për ta ulur apo jo çmimin. Vazhdojmë më pas me indeksimin shumë të lartë të çmimeve të shportës e me një inflacion të lartë dyshifror e që të gjitha këto rëndojnë mbi xhepat e familjeve shqiptare.

Motivacioni për të frymëzuar popullin ishte “Qeveria po mban të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike”. Po tani ç’do të thoni ?

Fashëzimi i çmimit të energjisë elektrike është diskriminim dhe zhvatje në xhepat e qytetarëve. 800 kWh mund të shpenzohet edhe nga një familje e varfër me shumë anëtarë, apo një familje mesatare. Drejtëpërsëdrejti ju kështu po shtrenjtoni çmimin e energjisë elektrike. Parimi “kush shpenzon më shumë paguan më shumë” nuk ngjall barazi konceptuale, por kthen ndarje klasore dhe diferenca në aspektin ekonomik.

Ku shkon buxheti i shtetit, kur pagat nuk rriten, subvencionet nuk rriten, ndihmat sociale nuk rriten, pensionet po ashtu? Për çfarë është qeveria e sidomos kjo që ka zgjedhur të taksojë më shumë, gjë që nënkupton buxhet më i fryrë e përgjegjësi më shumë? Me paga qesharake kërkoni të luftoni këtë indeksim të çmimeve? Boll ma se po e ktheni këtë vend të pajetueshëm.