Ardi Veliu, ish-drejtori i Policisë së Shtetit që për pak muaj mbajti dhe detyrën e zëvendësministrit të Infrastrukturës e Energjitikës, i është rikthyer karrierës në rreshtin e uniformave. Dosja.al mëson se lirimi i Veliut si zëvendësministër ka një arsye shumë të fortë. Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit do të jetë tashmë drejtuesi i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (ish-Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat).

Struktura e krijuar vetëm një vit më parë që ka nën mbikqyrje të gjitha uniformat blu, tashmë do të ketë drejtues të saj, Ardi Veliun. Ky i fundit liroi karrigen ku për një vit u ul pasardhësi i tij i emëruar, Gledis Nano me argumentin se do t’i përkushtohej familjes, por tashmë siç duket kjo gjë ka kaluar në plan të dytë.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka si objekt parandalimin, zbulimin dhe hetimin e shkeljeve administrative dhe veprave penale në polici dhe gardë, inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie.