Si e gjithë Shqipnia edhe Shkodra ka shumë vende që mahnisin nga bukuria çdo kalimtar, vizitor apo turist të huej që (janë të shumtë). Një qytet unik, ku në pak kilometra katrorë gjinden: liqeni, tre lumej e deti ku derdhen ujnat e tyne, si dhe parajsa e bjeshkës të virgjër. E ndër këto mrekulli, një nga objektet ma të vizituem e ma pikantë të Shkodres është Katedralja e Sh’Shtjefnit, e cila të emocionon me bukurinë e madhështinë e saj. E çlirueme nga kangjellat rrethues shekullorë, sheshi dhe krejt hapsinat për rreth Kishës së Madhe (kështu e thërrasin shkodranët), të shtrueme me gurë të latuem e pllaka cilësore, të hijeshueme me bimësi e gjelbrim, të duken si gjerdan argjëndi. Ambientet, muzeu, sallat, fushat sportive, krijojnë për të gjithë ngrohtësi e përkujdesje sociale si dhe mjedis modern e çlodhës. Në çdo kohë të ditës, por sidomos në buzëmbramje, burra, gra e fëmij, ulen ndër stolat e lulishtes, për të ndrrue biseda apo meditue në heshtje, nën hirin e madhështinë e Katedrales. Fëmijë të shumtë, të aktivizuem ndër projekte e lojna të ndryshme, i japin gjallni e sharm atmosferës.
Ndërsa i ndalun po shijojshe pamjen para mejet, i tërhequn nga vështrimet kurioze të disa njerzve të mbledhun te dera e auditorit Mikel Koliqi, vendosa të afrohem aty e të “hjedh një sy”. Pamja që m’u shfaq ishte befasuese.
Mbi një skelë rreth një metër naltësi, në veshje të thjeshtë pune, në mes ngjyrash e penelash, piktori shkodran Pjerin Sheldija po pikturonte mbi nji telajo stërmadhe (7.5 x 3m) një tablo masive, me shumë personazhe e figura impresionuese, që të egërsuem, po hidhnin gurë mbi një viktimë i cili qindronte i pambrojtun në mes të turmës. Hyra në sallë, e pa bëza u vodha në cepin tjetër tuj kundrue e tuj fotografue piktorin gjatë punës. Nga lëvizjet e trupit e nga shprehjet e ftyrës, më dukej sikur mjeshtri po bisedonte me figurat, sikur donte t’i mbushte mendjen që mos ta vrisnin viktimën.
Ishte një kompozim i piktorit, vrasja me gurë e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Krishtënimit. Mbi 30 figura të vizatueme mbi copë, ku nëpermjet dinamikës e shprehjes së ftyrave të tyne, mjeshtri kishte arrijtë të nxirrte në pah karakterin personazheve e të zberthente idenë e tablosë. Piktorin Pjerin Sheldija e njihja nëpermjet pikturave të tij, nga një vizitë qi pata ba ma parë në Kishen e Shën Mërisë në Laç Vau të Dejës, e cila ishte e zbukurueme me piktura murale kishtare të mjeshtrit Sheldija. Në një çast pushimit, gjeta rastin të bisedoja me piktorin, i cili më impresionoj me mendimin dhe interpretimet e tabllove të tij, për të cilat e pyeta.
Pak fjalë mbi jeten dhe vepren e piktorit Pjerin Sheldija.
Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodres (afër shpisë së Pashko Vasës) me 9 korrik 1937, në një familje të njohun katolike e qytetare shkodrane. Filloren e nisi në shkollën e Jezuitëve, ma vonë 11 Janari, e mandej në atë Ndoc Mazi. Qysh i vogël ai dha shejat e para të talentit për pikturë të cilën ja kultivoj ma ndej mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija (jo i fisit të tij), e ma vonë piktorja Nelda Gera që e pat drejtuese të rrethit të vizatimit në Shtëpinë e Pionierit në Shkoder, e cila e këshilloj që të ndiqte studimet për pikturë në Liceun Artistik në Tiranë.
Mbasi mbaron shkollën fillore, për nevoja ekonomike familjare, Pjerini, punoj për një periudhë të shkurtë si mekanik pranë Fabrikës së Çimentos në Shkoder. Gjatë kësaj kohe hyni në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, të cilin e drejtonte piktori i njohun Vladimir Jani (i cili kishte studjue në Firence me mësuesin e famëshëm Feliçe Karena), që ka pasë ndikim të madh mbi piktorët shkodranë, si njeri dhe artist. Në këtë kurs pat shumë elementë të talentuem si Selim Bilali, Ferdinand Paci, Tefë Palushi, Rudolf Daka, Gjovalin Saraçi etj. disa prej të cilëve u banë ma vonë përsonalitete të artit e të kulturës kombëtare. Nga Vladimir Jani, kursantët e pikturës mësuen, përveç vizatimit, tekniken e aquarelit dhe të bojnave të vojit.
Përpara se me fillue mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativen e Fotografisë në Shkoder, që ishte i pari laborator shtetnor i këtij llojit, për të plotësue nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.
Në vjetin 1956, ai filloj mësimet në Liceun Artistik të Tiranës ku pat mësues Abdullah Eminin (Cangonji), Abdurrahim Buzën (drejtori i Liceut) në Pikturë e Skenografi, Kel Kodhelin në Përspektivë, Janaq Paçon e Kristina Hoshin në Anatonmi, Andrena Menon në Histori Artit, Sadik Kacelin në Pllakatë. Nexhmedin Zajmi, Shaban Hadërin e Guri Madhin në vizatim.
Me kryerjen e Liceut në vitin 1961 (me një nderprerje për të kryer shërbimin ushtarak), u emnue mësues në Shkollen Pedagogjike të Shkoders. Gjatë periudhës së mesimdhanies ai punoj në disa shkolla të Shkodres si mësues vizatimi: në Shkollën Ndoc Mazi, Shkollën 10 Korriku, në Institutin e Lartë Pedagogjik (për ciklin e ulët). Kudo që punoi, krahas mësimdhanies së vizatimit krijoj dhe drejtoj rrethet e pikturës me nxanësit ma të përzgjedhur të shkollave, deri në vitin 1992 kur doli në pension. Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe të botonte punimet e tija (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës si: gazeten Jeta e re (gazetë e Shkodres), Mësuesi, Puna, Bashkimi, Revisten Shqiptarja e re, Revisten Ylli, Hosteni, ku ka marrë edhe çmime kombëtare. Në Konkursin Kombëtar të organizuar në 20 vjetorin e revistës Hosteni, ai meritoj çmimin e dytë.
Si të gjithë artistët, krijimtaria e Sheldisë në periudhën komuniste i asht përmbajtë në mënyrë të detyrueshme metodës së realizmit socialist, temave të kohës. Ai ka provue të lavrojë të gjitha llojet e gjinive, tue provue çdo teknikë, por kompozimi e terhiqte ma tepër, pa lanë mbrapa portretin, pejsazhin e natyren e qetë (influencë e mësimeve të Vladimir Janit).
Gjatë rinisë së tij, Pjerin Sheldija, përveç se piktor ishte aktiv edhe si aktor dhe skenograf me teatrot amatore në Shkoder, shfaqje që viheshin në skenë nga shoqnitë e ndryshme kulturore si dhe Shtëpia e Kulturës.
Më duhet me përmendë një ekspozitë e vitit 1982, ku mjeshtri Sheldija merr pjesë me një punim me temë “Ngritja e flamurit me 1914 në Kështjellen Rozafat”, ku ndër atdhetarët që mbajten fjalën për flamurin, ishte dhe At Vinçenc Prendushi të cilin autori e realizoj si figurë civile, mbasi ju ndalue me e vendosë në tabllo si frat françeskan. Me ardhjen e demokracisë kjo pikturë u ripunue dhe At Prendushi shihet aty, si klerik, me petkun e fratit. Sot kjo vepër ndodhet në Vatikan.
Dalja e tij në pension qëlloi në ditët e rrëzimit të komunizmit në Shqipni. Tashti Pjerini pat ma shumë kohë në dispozicion për t’ju kushtue plotësisht pikturës, por kësaj herë pikturës së lirë nga ndikimet partiake të realizmit socialist. Ai i filloj të punojë pa nderprerje në zbukurimin e objekteve të kultit të sapo hapuna rishtas. Që nga viti 1992, mjeshtri Pjerin Sheldija ishte i pari piktor në republikë që filloj të pasqyrojë në veprat e tij përsekutimin e klerit katolik, me të paren tabllo KRYQËZIMI I SHEKULLIT XX, të cilën ja dhuroj Kuvendit Françeskan në Shkodër. Për afro 25 vjet, me qëllim ringritjen e Kishave dhe dekorimin e tyne, mjeshtri shtegtoj në shumë krahina të Shqipnisë, të Kosovës e Malit të Zi, ku gjet mirënjohjen e respektin e popullsisë kudo ku shkoj. Ai nuk kërkoj për punën e kryer asnjë herë shuma të mëdha shpërblimi edhe pse ishte punë voluminoze. Në fillim, në kushte të vështira ekonomike, ai pranoj çka famullia kishte mundësi me pague, por 20 vitet e fundit, punën, kohen e mundin e tij ja ka kushtue Zotit tuj punue falas. Si shpërblim, me rastin e 70 vjetorit të piktorit, Provinca Françeskane në Shkoder, botoj një album ku përmblidhen të gjitha pikturat e tija me temë fetare.
Për këtë punë të pamasë e të lodhëshme artistike, mjeshtri Pjerin Sheldija u dekorue nga Papa Benedikti i XVI me medaljen e artë “Për Kishen e për Papen”. Gjithashtu Sheldija ka marrë si mirënjohje nga shteti shqiptar Urdhërin Naim Frashëri të Kl. të parë, te Kl. dytë e të tretë me motivacionin: për merita në mësimdhënie, zbulimin dhe edukimin estetik të nxënesve të talentuem…
Mjeshtri Pjerin Sheldija punoj në zbukurimin e pothuajse të gjitha kishave të Shkodres dhe të fshatrave për rreth, si në vepra murale (kupolat, kollonat, tavanet), por edhe në pikturën në telajo. Gjurmët e tija i gjejmë në 36 Kisha e kuvende, mbrenda e jashtë vendit, tuj fillue me Katedralen e Shkodres, Kishen e Sh’Françeskut (në Gjuhadol), Kishë e Zojës Rruzare (te Arra e Madhe), Kishen e Torovicës, Kishen e fshatit Malocaj, të Balldrenit, të Blinishtit, Kishen e Gjadrit, Kishen në Baçel, në Peraj, Nenshat, Vau Dejës, Shën Gjergj, Shtoj, Braticë (në Mal të Zi), Dinoshë, Razmë, Kishen në Bushat e Stajkë. Janë gjithësejt 203 punime e ndër to 1375 persona, pa llogaritë këtu figurat e engjëjve pa trup… Për këtë kontribut të çmuem, Bashkia e Shkoders e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
“Asht dora e Zotit, më tregon mjeshtri, nuk ka si me kenë ndryshe. Unë jam vetëm peneli në doren e të Lumit. Vetëm të mendosh që punimi më i madh më ka marrë jo ma tepër se një muej…p.sh. “Darka e mbramë” e Kishes së Barbullushit 5m x 3m asht ba për 10 ditë…Unë jam i privilegjuem që i Lumi më ka zgjedhë për ti sherbye Atij.
Asht karakteristikë e piktorit, përdorimi i motiveve kombëtare si në tematikat që zgjedh ashtu edhe në detajet, veshtjet, tiparet shqiptare e popullore të personazheve që vizaton. Mbi çdo tabllo piktori përjetëson fytyrat e shumë figurave të njohuna të çeshtjes kombëtare, të njohurve e miqve apo familjarë të tij, të cilët vetëm përsonat afër tij dijnë ti tregojnë. Në gjithë këto vite pune të mundishme e në levizje të panderpreme, ai ka pasun përkujdesjen dhe inkurajimin e grues së tij Marijes që ka kenë edhe “kritikja” e parë artistike e veprave të tij.
Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija edhe pse vitet kalonjë, asht shumë aktiv, si në jeten familjare, ashtu dhe për të kryer “detyrimin shpirtnor”, (siç e quen ai), realizimin në pikturë të figurave të kultit apo të ngjarjeve kryesore të bibles. I nxitun nga besimi dhe dashtunia për pajtoren e qytetit të Shkodres “Zojen e Këshillit të mirë” që për shkodranët asht ZOJA E SHKODRES, mjeshtri ka realizue në pikturë figuren klasike të Zojës që mban në krah fëmijën e saj, Jezusin, por me veshje kombëtare të zonës së Shkodres, diçka krejt e veçantë në fondin e pikturës tradicionale shqiptare.
Së fundi, punimi i tabllosë gjigande me përmasat 7.5m x 3m, që i mori shumë kohë dhe energji asht drejt përfundimit, e mjeshtri Sheldija asht krenar që ajo do të vendoset në krahun e majtë të altarit kryesor të Katedrales, përballë pikturës “Bekimi i Gurit Themelit” të Katedrales (7 prill 1858), të piktorit akademik Simon Rrota, që ai e respektonte shumë.
Faleminderim e Respekt Mjeshtër, për punët me vlerë që po i len artit, brezave të tjerë, Shkodres dhe gjithë Shqipnisë
Pjeter Logoreci, Vjenë, me 23 tetor 2018
Comments are closed.