Pas këngës “Krisi topi”, kënga më e vjetër që na ka ardhur deri sot i përket vitit 1825 dhe titullohet “O moj e vogël si florini. Në mesin e viteve ’20 të shekullit të 19-të Veziri i Shkodrës, Mustafa Pashë Bushatliu, bëri zgjerimin e një saraji në Kosmaç, të cilin ia kishte dhuruar Gaspër Llupi, një tregtar shkodran.

Midis muratorëve që punonin aty ishte edhe një djalë i ri, që përgatiste llaçin. Ky djalosh, sapo mbaronte punën, vishej me rroba të mira e nisej menjëherë për në Shkodër. Çdo ditë vepronte kështu. Ishte i paduruar në dëshirën e tij për të mbaruar sa më parë punën dhe të nisej për në rrugën e tij të përditëshme. Ngjitej me të shpejtë nëpër kalldrëmin e rrugës që të çonte në brendësi të Kalasë, bënte si bënte dhe i kalonte të tri dyert e hyrjes së saj dhe, me kënaqësinë e fitores së arritur, shëtiste nëpër oborret e saj. Ishte një djalë i gjatë dhe me trup të drejtë, me një paraqitje tërheqëse dhe fisnike.

Ndoshta këto tipare të jashtme të tij i krijonin mundësi e lehtësi për të hyrë brenda. As të folurit jugor nuk iu bë pengesë. Askujt nuk i shkonte në mend se ky djalosh kaq i ëmbël e kaq burrëror njëkohësisht, mund të vinte aty për ndonjë punë të dyshimtë, edhe pse dihej se në shumicën e rasteve muratorët nuk ishin shkodranë. Por ky nuk dukej fare si murator, por si një njeri nga familje të mira të qytetit, ose si një zyrtar pranë Vezirit të Shkodrës.

Ndërkohë djaloshi ndiqte edhe ahengun shkodran që zhvillohej nëpër kafenetë e ndryshme të qytetit. Ishte ndër të parët që zinte vendin më të mirë që të ishte sa me pra ahengxhinjve dhe me pasion të veçantë, dëgjonte kënge të ndryshme, të cilat i pëlqenin shumë dhe iu bënë pjesë e jetes së tij të përditshme. U miqësua shumë edhe me ahengxhijtë, sa që filloi edhe të këndojë me ta. Zërin e kishte te bukur e të fuqishëm dhe u shkri natyrshëm me keto mjedise të këndshme.

 Ndërtesa në Kosmaç u përfundua. Vezíri shkoi atje për ta parë dhe mbeti shumë i kënaqur nga puna që kishin bërë mjeshtrit muratorë. Për ta shtroi një drekë në sallën e madhe të tij, në kala. Dreka u shoqërua edhe nga orkestrina e sapo krijuar nga Veziri, e drejtuar nga Mehmet Shllaku i Vukatanës dhe me këngëtar Halil Tophanën.


Veziri qëndronte në një vend të ngritur në krye të salles së madhe dhe ndiqte ahengun me një shprehje mospërfillëse, pa vemendjen e duhur.
Gjatë drekës, muratorët e nxisnin shokun e tyre të ri që të këndonte, sepse ia njihnin vlerat. Ky nuk nguroi shumë dhe filloi të këndojë në një mënyrë mjaft të këndshme, sa që menjëherë tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, bile edhe të vetë Vezirit, i cili u gjallërua dhe filloi ta pëlqejë këtë djalosh simpatik. Pasi këndoi dy-tri këngë të njohura, djaloshi e
mblodhi veten, bëri një pauzë të shkurtë dhe, me një pasion të fshehur prej kohësh, por edhe me një finesë të dukshme dhe pamje krenare, filloi të këndojë një këngë të re, të cilën askush nuk e kishte dëgjuar

O moj e vogla si florini, përmbi hazna xhevahiri, përmbi pashallarë veziri, Shota, moj zylyfe, Je mbi shoqet tuaja, mori dritë

Zëri i djaloshit tingëllonte aq bukur, sa që të gjithë e vështronin me admirim. Ai hidhte shikimin e tij vezullues drejt një kafazlije, mbas së cilës e dinte se qëndronte vajza e bukur dhe e re e Vezirit të Shkodrës. Në këto çaste kënga e tij merrte më shumë forcë, bëhej më e ëmbël dhe më e fuqishme. Sikur kërkonte që në këtë mënyrë të dërgonte ndonjë mesazh përtej kafazlijes. Duke e parë djaloshin që tash e parë hidhte vështrimin andej, Veziri ngrysi vetullat


Çka ky djalosh që vështron drejt kafazlijes  sikur flisnin sytë e tij të egërsuar. Megjithatë vazhdoi ta ndjekë më me vemendje, pa qenë i sigurtë në dyshimet e veta.

Me e dijtë ti sa fort të due, sy e vetulla unë t’i due, me kalem jazi janë shkrue, Shota moj zylyfe, Je mbi shoqet tueja, mori sy.

Përsëri po ato vështrime kuptimplotë andej nga kafazlia, por tashmë më të guximshme e më shprehëse. Edhe sytë e tij flisnin, ndoshta më shumë se fjalët e këngës. Veziri vazhdoi të dëgjojë më i mërzitur, filloi të bëhej më nervoz dhe më i paduruar. Ndërsa djaloshi, me gjithë afshin e shpirtit të tij shpërthyes, vazhdoi pa kurrfarë shqetësimi:

Sytë e tu si xhevahiri, /kah i shoh shkrihem si qiri, shndrisin reze porsi dielli, Shota moj zylyfe, Je mbi shoqet tueja, mori shpirt.

Ndërsa këndonte, drejtonte gjithë qenien e tij andej nga ishte vajza e Vezirit, pa përfillur asnjeri, as Vezirin e madh, as pasojat që mund t’i vinin nga zemërimi i tij i egër dhe i papërmbajtur. Veziri nuk u përmbajt më por u ngrit me të shpejtë e në mënyrë të egër, iu drejtua

Kush je ti, more pizeveng, që sillesh kështu kaq pa turp u dëgjua zëri i ashpër i tij dhe ngriti kamxhikun që mbante në dorë, gati për t’i rënë. Djaloshi qëndroi i qetë dhe gjakftohtë. U përkul pak përpara Vezirit, me nderim e pa folur asnjë fjalë. Kështu, krenar dhe duke e respektuar, mendoi se do tia zbusë zemrimin njeriut të plotfuqishëm që kishte përpara. Por nuk ndodhi kështu. Zëri i Vezirit tinglloi më i rreptë dhe me i ashpër:

He, pra, fol, kush je ti, trego shpejt, se ta preva kryet vazhdoi si i xhindosur, duke ngritur edhe një herë kamxhikun më me egërsi. Djaloshi nuk u frikësua fare. Atij iu gjallëruan më shumë tiparet e bukura e burrërore të fytyrës, pamja iu fisnikërua më tepër dhe, me guxim dhe solemnitet, tha:


Vezir i madh! Më dëgjo me vëmendje dhe qetësi. Quhem Ali. Jam djali i Pashës së Ohrit. Kam dëgjuar se ke një vajzë të bukur. I mora leje babait tim dhe erdha këtu. Punova duke bërë llaç në sarajin tënd. U solla rreth kullës sate, deri sa e pashë vajzën e bukur. Unë e dua atë për grua. Jemi parë disa herë dhe, po ta them se edhe ajo.


Veziri nuk e la të vazhdonte më tej dhe, nga frika se do të dëgjonte fjalë të rënda, që zor se mund t’i përballonte edhe ai vetë, ndërhyri menjëherë si i tërbuar


Nuk është e vërtetë, nuk është e mundur,  bërtiti me gjithë forcën e zërit të tij në një mënyrë të çjerrë, me një pamje sikur ta kishte zënë ngërçi dhe bërtiti


Ti je një rrugaç, një… Djaloshi nuk e la të shpërthente më tej egërsinë e tij:
Jo, madhëri., – kundërshtoi me vendosmëri. Dhe po aq krenar vazhdoi


Jam prej derës fisnike e nuk jam munduar kot. Ja tek e
ke edhe myhyrin e familjes sime,  dhe hoqi nga gishti unazën e vet. la dha Vezirit, duke u çliruar nga ankthi që sapo i ishte shfaqur Veziri e mori në dorë unazën, sikur të merrte një thëngjill të ndezur, që i dogji fort. Por ky “zjar” e bëri edhe të mendojë. Zemrimi sikur i ra pak, por gjithsesi nuk foli i qetë:

Të shohim a janë të vërteta fjalët tuajaMbas disa ditësh, kalorësit që dërgoi Veziri te Pasha i Ohrit, u kthyen të gëzuar. I ati i Aliut u kishte thënë të gjithë të vërtetën, duke miratuar edhe lidhjen e djalit të tij me vajzën e Vezirit të Shkodrës. Mustafa Pasha thirri kadiun e myftiun dhe u vuri kurorë dy të rinjve.

Dasma e kësaj martese të lumtur qe e veçantë. Aliu këndoi në dasëm këngën e bukur “Moj e vogla si florini”, të plotë, edhe me dy strofat tjera që Veziri nuk e pat lënë t’i këndonte. Kush është trim e ka mend, ka edhe fat” kishte thënë atë natë një plak i urtë.

Shkëputur nga libri “Në Shkodër të gjithë këndojnë” të autorit Isa Alibali.