Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla kujtoi sot 112-vjetorin e lindjes së misionares së paqes, Shën Nënë Tereza.
Nikolla u shpreh në një postim në rrjetet sociale se Shën Nënë Tereza ishte shqiptarja e madhe që me jetën, përkushtimin, mësimet dhe veprën e saj na frymëzoi dhe edukoi ta shohim botën me sytë e dashurisë, shërbimit, mirësisë, paqes dhe besimit.
“Nënë Tereza ishte edhe një shërbëtore e angazhuar e paqes. Sot, në këtë botë të trazuar, kur lufta në një pjesë të planetit jo larg nesh është jo më një rrezik, por realitet, janë domethënëse fjalët e Nënë Terezës: “Paqja nuk vjen me pushkë e bomba, por me dashuri e dhembshuri!”, shprehet ajo.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “s’ka më bukur se kur prezantohemi kudo në botë si bashkëkombase të një shenjtoreje, një humanisteje të madhe si Nënë Tereza”, është shprehur Margariti, duke ftuar që në këtë ditë t’i përcjellim njëri-tjetrit mesazhet që na ka lënë Nene Tereza: Nuk na duhen armë dhe bomba për të sjellë paqen, por dashuri dhe dhembshuri”.
Simboli i paqes e i humanizmit, Nënë Tereza u shndërrua në burimin e dritës dhe të frymëzimit, duke e përfaqësuar denjësisht popullin shqiptar e duke e kthyer vëmendjen e botës nga vendi ynë.
Gjithashtu Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) publikoi një foto shkëputur nga ekspozita “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981 – 1991” nga fotografi Michel Setboun në COD.
Fotografi ka fiksuar një imazh të Nënë Terezës duke u lutur në një kishë të vogël katolike në Tiranë, e cila në kohën e komunizmit ka shërbyer si teatër.
Për punën bamirëse asaj i janë akorduar shumë çmime, duke filluar që nga Çmimi Indian Padmashri në vitin 1962 dhe deri tek Çmimi Nobel për Paqen në vitin 1979. Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, të cilat kryenin misionin në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës. Tërë jetën e saj ia kushtoi të varfërve dhe njerëzve në nevojë derisa ndërroi jetë më 5 Shtator 1997.
Pa kaluar as dy vjet nga vdekja e shenjtores, Papa Gjon Pavli II lejoi të fillonte procedura e kanonizimit. Kështu më 20 Dhjetor 2002 u miratua dekreti për mrekullitë e shenjtores. Data e zhvillimit të ceremonisë së beatifikimit të Nënë Terezës u vendos që të ishte 19 tetori i vitit 2003.
Ky vendim i Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas aprovimit nga Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit. Nënë Tereza ka shëruar një grua indiane, e cila quhej Monika Bersa që vuante nga një tumor. Dita e lumturimit të Nënë Terezës përkonte me 25-vjetorin e ngjitjes në fronin e Vatikanit të Papës Gjon Pali II. Më 5 shtator 2016 u bë edhe shenjtërimi i Nënë Terezës.
Comments are closed.