Në rrugë, në korsitë dedikuar biçikletave, por sidomos në sheshe e parqe publike, monopatinat janë kthyer në mjetin e preferuar të të rinjve.

Atë mund ta marrë kushdo pa pasur nevojë për leje qarkullimi dhe të lëvizë në çdo hapësirë publike, pasi asnjë rregull nuk ekziston në Kodin Rrugor për përdorimin e këtij mjeti edhe pse elektrik dhe me shpejtësi në qytet pothuajse të njëjtë me atë të lejuar për makinat.

Të cilësuara si një zgjidhje për të shmangur trafikun, ato janë kthyer në shqetësim për këmbësorët, ashtu si dhe për drejtuesit e mjeteve madje specialistët e qarkullimit rrugor shprehen se janë shpesh burim aksidentesh pasi nuk respektojnë asnjë rregull.

Ky shqetësim është ngritur edhe nga policia rrugore, e cila shprehet se tashmë kanë hyrë në qarkullim edhe disa modele të reja të monopatinave me shpejtësi mbi 50 km/orë që përbëjnë rrezik serioz aksidentesh.

“Nuk respektojnë semaforin. Futen vend e pa vend duke u bërë realisht një rrezik permanent për përdoruesit e rrugës. Për ne ata janë një burim ngjarjesh rrugore, një rrezikshmëri e lartë e shtuar për kryeqytetin dhe jo vetëm,” shprehet specialisti i qarkullimit, Gerhard Baka në Vizion Plus.

Policia rrugore për më tepër nuk ka asnjë bazë ligjore për të vendosur sanksione administrative apo penale për përdoruesit e këtyre mjeteve në rast shkeljesh të rregullave të qarkullimit.

Zgjidhja e propozuar nga blutë është që këto mjete të largohen nga qarkullimi.

Monopatinat, trendi i rrezikshëm i të rinjve. Policia rrugore

Në Prishtinë pak ditë më parë u ndalua qarkullimi i monopatinave në ambiente publike, ndërkohë që në vende të tjera si Britania e Madhe ato prej kohësh nuk lejohen në rrugë. Së fundmi edhe Italia po studion mënyrën e ndalimit të përdorimit të këtyre mjeteve.