Kryeministri Edi Rama iu përgjigjet, përmes një postimi të gjatë në llogarinë e tij në “Facebook”, të gjithë atyre që kritikuan pritjen që qeveria dhe bashkia e Tiranës i bënë Luiza Gegës pas shpalljes kampione e Evropës. Duke i cilësuar kritikat si çmenduri, kreu i qeverisë shkruan se Luiza Gega është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës për tu stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.

“Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!… Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!”, shprehet Rama.