Një lajm i trishtë është mësuar ditën e sotme. Pas një beteje 15- mujore me sëmundjen e rëndë, ka ndërruar jetë Zamira Spahija Veizi, kryesekretare e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Lajmi është dhënë nga miq dhe kolegë të të ndjerës, të cilët kanë shprehur publikisht dhimbjen për vdekjen shumë të parakohëshme, në moshën 45 vjeçare, të Zamira Spahija Veizi.

Në vitin 1999 Zamira përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Një vit më pas, ajo nisi punë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku punoi deri në fund të jetës së saj.

Nga ata që e kanë njohur, kolegët, miqtë e bashkëpunëtorët, Zamira përshkruhet si shumë korrekte në punë, e gjindshme për çdo qytetar dhe e komunikueshme me të gjithë.
Me ikjen e saj, Zamira Spahija Veizi lë pas një fëmijë 4 vjeç dhe bashkëshortin.