Dy rusët, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç kanë mbërritur në orën 10:00 në Gjykatën e Elbasanit. Në orën 11:00 pritet që të dalin para trupit gjykues për t’u njohur me masën e sigurisë. Videoja e siguruar nga Dosja.al tregon momentin e mbërritjes së dy rusëve e ukrainasit në Gjykatë.

Për shtetasit rusë janë caktuar 2 avokatë nga shteti, Demir Çiftja kryetar i Dhomës së Avokatisë Elbasan dhe avokat Aldi Kaçi. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për tre të arrestuarit. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”

Ata u shoqëruan nga policia mbrëmjen e 20 gushtit teksa tentuan të hynin në ish-uzinën e armëve në Gramsh. Rusi Zorin u përlesh me ushtarakët që ruanin objektin të cilët nuk e lejuan të hynte uzinë, duke i sulmuar edhe me një spraj neuroparalizues. Në dëshminë e tyre në polici pas arrestimit, ata kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.