Boksieri shqiptar Florian Marku dhe kundërshtari i tij meksikan Miguel Parra Ramirez, të cilët do luftojnë për titullin WBC Silver të enjten në Air Albania’, kanë kryer sot peshimin zyrtar në sheshin ‘Skënderbej’, duke entuziazmuar të pranishmit, ndërsa nuk kanë munguar as ngacmimet mes tyre.
Për boksierin e famshëm shqiptar gjithmonë ka patur kritika për nivelin e kundërshtarëve dhe njëri prej tyre është Zef Gjoni, trajneri i ekipit kombëtar të boksit. Për ‘Report TV’ ai shpjegon se tani ajo kohë i përket së kaluarës, pasi Marku është ngjitur në një tjetër nivel.
“Ndeshjet e para çdo profesionist i bën me boksierë të nivelit të ulëta për të fituar ndeshjet dhe këtu hyn edhe pagesa, por tani Floriani është në një stad që kundërshtarët janë të nivelit të lartë. Vijnë për ti marrë titullin Florianit dhe për të parakaluar. Kundërshtari ka nivel se është i 47 në botë,”-u shpreh Zef Gjoni, trajner i ekipit kombëtar të boksit.
Gjoni beson se Marku të enjten në orën 21:00 do t’ia dalë para shqiptarëve pasi janë disa kushte që e favorizojnë.
“Me trajnerët që ka Floriani do ketë një hap më të madh për të shkuar atje ku dëshiron ai dhe unë. Ndeshjen që ka në Tiranë, me përgatitjet që ka bërë shumë të mira, kam besim e plotë se do ta fitojë. Është para flamurit dhe para shqiptarëve,”-deklaroi Zef Gjoni, trajner i ekipit kombëtar të boksit.
Trajneri i ekipit kombëtar pati edhe një kritikë për organizatorët e evenimentit pasi ai nuk do jetë prezent në ‘Air Albania’.
“Mua më vjen keq që nuk kam asnjë ftesë si trajner i ekipit kombëtar. Si trajner i shumë boksierëve profesionist në Shqipëri dhe jashtë. Më vjen keq që nuk kam ftesë për ta ndjekur nga afër Florian Markun,”-tha Zef Gjoni, trajner i ekipit kombëtar të boksit.
Rikthimin në Shqipëri Marku e ka quajtur ‘homecoming’ për t’iu treguar bashkatdhetarëve se po vjen për ti gëzuar me fitore
Comments are closed.