Teksa po heton për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se në arratinë e tij në vend të paditur, e ka ndihmuar një agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, tashmë i arrestuar. Jeton Lami 28 vjeç nga Tirana është lënë në masë arresti me burg nga Gjykata e Kurbinit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, masë e caktuar më 23 gusht.

I arrestuari është punonjës policie, agjent pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Prokuroria e Kurbinit i ka nisur hetimet për rrëmbim personi, pas denoncimit të familjarëve të Ervis Martinaj se kanë humbur prej disa kohësh cdo kontakt me të.

Në një njoftim zyrtar, policia thotë se nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari duke qenë punonjës policie ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar. Pra, Jeton Lami përveçse ka mbajtur kontakte me të shumëkërkuarin edhe është bërë shofer i tij duke e ndihmuar në arrati. Dëshmia e tij pritet të jetë kyçe për të zbuluar vendndodhjen e Ervis Martinajt.

Polica njofton se efektivi Lame është zbuluar pas hetimeve që po kryejnë pas denoncimit që ka bërë familjari se Ervis Martinaj është zhdukur. Rreth dy javë më parë, xhaxhai, Faik Martinaj, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Lezhë se ka humbur kontaktet me nipin.

Kujtojmë se në korrik të vitit 2021, teksa përfundoi hetimet për vrasjen e Santiago Malkos, SPAK nënvizonte se plani ishte ekzekutimi edhe i Ervis Martinajt por s’kanë mundur ta gjejnë atë edhe pse kishin informacion se kishte udhëtuar në Spanjë apo Turqi.

Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka thënë se 500 mijë euro do paguante Ervis Martinaj për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale” “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.