Me iniciativë të trajnerit të Vllaznisë në taekwndo, Elion Puka, i mbështetur edhe nga Federata Shqiptare e Taekwondosë, në Shkodër ka mbërritur mjeshtri Italian Giuseppe Dellino. Prania e tij kishte të bënte me zhvillimin e një seance trajnuese me sportistë të ekipeve të Shkodrës, Tiranës dhe Ulqinit. Me një eksperiencë 30-vjeçare në sportin e taekwondosë, ish-kampion, si sportist dhe trajner dhe në vijim drejtues për shumë vite edhe i federatës italiane të taekwondosë, mjeshtri Dellino ka përcjellë përvojën e tij për sportistët shqiptarë.
Vetë mjeshtri italian Giuseppe Dellino, është shprehur i kënaqur që gjendet në Shkodër, aq më tepër që këtu takon nxënësin e tij, Elion Puka, i cili shumë vite më parë ishte pjesë e ekipit të tij në Itali dhe tashmë e gjen trajner të ekipit Vllaznia dhe të ekipit kombëtar të Shqipërisë.
Vlerësimin për trajnimin në fjalë e kanë shprehur edhe trajnerët e tjerë të pranishëm, Nikolin Përzefi i ekipit “Nini Taekwondo” Fikret Dushku i Ulqinit dhe Xhevahir Hysa i ekipit TKD Studenti, dhe më pas të gjithë së bashku janë shfaqur në palestër duke demostruar teknikat më të reja të taekwondosë me sportistët e pranishëm.
Comments are closed.