Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ku u diskutua për ndarjen e problemeve të administrimit të zonave të mbrojtura natyrore.
Në takimin e organizuar në Parkun Kombëtar të Dajtit, Kumbaro theksoi se “zonat e mbrojtura këtë verë tërhoqën një numër të lartë vizitorësh”.
“Zonat e mbrojtura që me vendimet e janarit 2022 i kemi rritur nga 17% e territorit në 21,3 % janë krenari për vendin, por edhe një përgjegjësi e madhe për Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”, tha Kumbaro.
Kumbaro u shpreh se “me AKZM dhe 12 drejtoritë rajonale të zonave të mbrojtura në takimin e organizuar reflektuam për vizionin e ri që duhet të ndërtojë administrata e zonave të mbrojtura; për planet e reja të menaxhimit; për dimensionin e edukimit mjedisor; për të komunikuar më mire e më qartë punën që bëhet çdo ditë në mbrojtje të florës dhe të faunës; për të bashkëpunuar me mirë me bashkitë dhe me institucionet e tjera në të gjitha nivelet, që nga peshkimi, bujqësia, infrastruktura, policia e shtetit, shoqatat, komuniteti, bashkëpunime që duhen ngritur në tjetër nivel”.
Kumbaro theksoi se gjithashtu se është po ashtu koha koha për riorganizim të forcave në AKZM, duke i dhënë jetë edhe një njësie aktive të dedikuar për përgatitjen e projekteve dhe planeve të menaxhimit që do të përkthehen në performancë më të mirë në terren.
“Këto dhe të tjera janë sfidat që e presin administratën e zonave të mbrojtura dhe Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit, me energji të reja”, tha Kumbaro.
Zonat e Mbrojtura janë oaz i biodiversitetit në Shqipëri. Zgjerimi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla që bartin.
Comments are closed.