“Mund të them sinqerisht se kjo javë e kaluar nuk ka qenë më e lehta e jetës sime. Megjithatë, dua të besoj dhe besoj se njerëzit do të shikojnë atë që bëjmë në punë dhe jo atë që bëjmë në kohën tonë të lirë.”, ky ishte reagimi i kryeministres finlandeze Sanna Marin, e prekur dhe e përlotur për disa çaste teksa po fliste rreth momenteve të vështira që ka kaluar pas shpërndarjes së videove dhe imazheve të saj nga një festë private ku ndodhej së bashku me miqtë e saj.

Unë jam njeri. Dhe ndonjëherë dua gëzim, dritë dhe argëtim në mes të këtyre reve të errëta”, u shpreh kryeministrja Marin gjatë konferencës për shtyp.

Për mendimin tim, ajo foto nuk është e përshtatshme, kërkoj falje për këtë. Ajo foto nuk duhej të ishte bërë”, tha Marin të martën.

Ajo tha se mbrëmja pas festivalit ishte një festë private dhe emrat e të gjithë të ftuarve iu dhanë ekipit të sigurisë që monitoron vilën Kesäranta, që ndodhet në pjesën veriore të Helsinkit.

Vila dykatëshe prej druri e vitit 1873 ka një sauna buzë detit, një pavijon, dhe një fushë tenisi.

“Ne ishim duke përdorur ambjentet e saunës dhe zonën e kopshtit, por nuk kaluam kohë brenda vilës Kesäranta, megjithëse tualetet e mysafirëve në katin e poshtëm ishin në përdorim,” tha zonja Marin, sipas kanalit YLE.

Ndaj kryeministres finlandeze patireagime të shumta, disa që e kritikonin dhe disa të tjereë që e mbështesnin pas publikimit të videove ku ajo shfaqej duke kërcyer dhe pirë alkool në një festë private me miqtë. Pas publikimi të videos së parë, Sanna Marin doli në një konferencë për mediat ku tha se ka bërë tetsin e drogës e se nuk ka konsumuar lëndë narkotike të paligjshme. Pas kësaj qarkulloi një tjetër video e kryeministres duke kërcyer në një club.

Të shtunën, eksperti i sigurisë kibernetike Petteri Järvinen sugjeroi se hakerët rusë mund të fshihen pas shpërndarjes së këtyre videove, pasi mund të kenë hakuar telefonin ose llogaritë sociale të ndonjë personi që ishte pjesë e rrethit të ngushtë të Marin, sipas gazetës Iltalehti.

Marin nuk e fsheh se i pëlqen të marrë pjesë në festa, dhe shpesh është fotografuar në festivale muzikore. Para pak kohësh, Marin u quajt “kryeministrja më e cool në botë” nga gazeta gjermane Bild.

Edhe vitin e kaluar ajo kërkoi falje pasi kaloi gjithë natën në club ndërkohë që kishte qenë më përpara në kontakt të ngushtë me një të infektuar me COVID-19.