Gazetari Artan Hoxha shkruan se nuk është aspak e çuditshme të dëgjosh mbi bashkëpunimet efektivëve të Policisë së Shtetit me të zhdukurin Ervis Martinaj.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha risjell në vëmendje një telefonatë që kishte bërë me Martinajn në vitin 2015, pas realizimit të operacionit “Fundi i Marrëzisë”. Gazetari thotë se në atë kohë, biznesmeni i lojërave të fatit e kishte korrigjuar duke i thënë se ishin të 6 shefat e komisariateve të Tiranës në ‘listëpagesat’ e tij e jo 5, siç kishte deklaruar në emision Hoxha.

Referuar kësaj telefonate, gazetari thotë se nëse diku, apo dikur, do të gjendet listëpagesa që Martinaj, u ka bërë zyrtarëve të lartë të shtetit, drejtuesve të policisë, prokurorëve ose gjyqtarëve, nëpërmjet kompanive të tij të lojërave të fatit, do të habiteshin edhe specialistët më të mirë të Ministrisë së Financave, se sa rigoroze dhe e saktë ka qenë e përpiluar.