Prej fillimit të vitit, 22 822 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes, me mbështetjen direkte të qeverisë, përmes Programit të Mbrojtjes Sociale.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale statistikat më të fundit mbi përfituesit e kësaj politike sociale të qeverisë.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë se për këtë vit mbështetja me bonusin e bebes u ka shkuar 22, 822 fëmijëve, ju uroj një ditë të bukur” shkruan Rama.

Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja, pavarësisht statusit social-ekonomik.

Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit.

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë. /m.m/