Një javë e re e pret qytetin me “Shkodra Jazz Festival” me koncertet që janë parashikuar të mbahen në sheshin para bashkisë ndërsa vijojnë provat përgatitore në mjediset e Galerisë së Arteve të Shkodrës dhe ambjenteve të qendrës rinore “Atelie”.
Drejtuesi artistik i festivalit, Florian Jakaj tregon se pas përfundimit të masterklasave të fizarmonikës, risia e këtij edicioni është përfshirja e kategorisë junior në festival ndërsa një kalendar i pasur festiv e pret atë përgjatë kësaj jave.
Instrumentistë nga vende të ndryshme të Ballkanit po kalojnë ditët së bashku me njëri-tjetrin në Shkodër por ato të gjithë flasin të njëjtën gjuhë që është ajo e muzikës ndërsa qëllimi i këtij festivali nuk është thjesht muzika por t’i bëjë njerëzit të njihen edhe më shumë me njëri-tjetrin.
Duke qenë se kulturalisht muzika jazz në vendin tonë ka rrënjë në Shkodër, ky festival është manifestim i kësaj lidhje që do të vazhdojë të mbetet e fortë edhe në të ardhmen.
“Shkodra Jazz Festival” do të rikthehet sonte në sheshin para bashkisë ku do të performojë grupi “Scanderbeg Orchestra” nën drejtimin e Paçalin Zef Pavacit.