Detaje të reja janë zbardhur, në lidhje me tre të huajt që u përfshinë në incidentin e të shtunës në mbrëmje në uzinën e armëve në Gramsh.
Gjatë fazës hetimore ka rezultuar se në telefonat e tyre janë gjetur fotografi dhe materiale të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit. Këto materiale i përkasin periudhës së gushtit të këtij viti, teksa për Prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta 3 shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që dëmtojnë interesat e vendit tonë.
Materialet janë gjetur pasi janë zbërthyer aparatet celulare të 3 shtetasve të huaj, ku ndër të tjera janë gjetur dhe shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë, përmes aplikacioneve të ndryshme, por kryesisht “Telegramit”
Ndërsa sa u përket 4 shtetasve çekë, të kapur në rrethana të ngjashme në Poliçan mësohet se në këtë fazë hetimi nuk është konstatuar asnjë lidhje me njëra-tjetrën.
Akuza e Elbasanit qëndron në krye të hetimeve ndërsa çështja do të vijojë të hetohet në Prokurorinë e Elbasanit dhe jo në Strukturën e Posaçme. Sa i përket kontakteve që kanë kryer këta shtetas me persona të tjerë, po bëhen verifikime për identifikimin e tyre dhe aktivitetit me të cilin merren.
Comments are closed.