Martesat mes shqiptareve dhe sërbve që jetojnë kryesisht në zona rurale dhe të pabanuara janë një trend i viteve të fundit, ku tashmë janë futur në veprim edhe agjenci, të cilat mundësojnë kontaktet përmes pagesave që bëhen nga të dyja palët ose kryesisht nga pala e dhëndrit.

Shumë e kanë parë si problem këtë fenomen pasi vajzat shqiptare që shkojnë e martohen në Serbi apo Maqedoninë e Veriut marrin mbiemrin e burrit dhe sllavizohen, ndërkohë që të tjerë e kanë cilësuar si një zgjidhje të mirë për ata që kanë mbetur beqarë dhe duan të kenë një familje. Shqetësime ka patur gjithashtu edhe për pagesat që bëjnë dhëndurët sllavë ndaj familjeve të vajzave, gjë e cila është konsideruar edhe si një “blerje”.

Megjithatë, jo të gjitha tentativat për martesa përfundojnë me “të trashëgohet çifti” duke sjellë edhe pasoja financiare për personat e përfshirë.

Abcnews.al sjell sot ekskluzivisht denoncimin e një serbi 41-vjeçar nga Nishi, i quajtur Vladan J., i cili pretendon se është mashtruar nga një shqiptare e martuar me një serb në Republikën Srpska të Bosnjes duke i marrë atij 1 000 euro.

Vladani i ka shkruar edhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në lidhje me këtë mashtrim duke kërkuar prej tij zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e parave si edhe të dokumenteve të identifikimit të cilat ia kishin marrë me pretendimin se do ta martonin me një shqiptare, raporton abcnews.al.

Sipas Vladanit, ai është mashtruar nga një grua e quajtur Elona me origjinë nga Dobraçi i Shkodrës, e martuar në Republikën Srpska të Bosnjes po ashtu me një serb.

41-vjeçari tregon se pasi i kanë marrë dokumentet e identifikimit, Elona i ka kërkuar atij edhe 500 euro në mënyrë që ta prezantonte me një vajzë shqiptare. Ajo i ka dërguar atij edhe foton e një vajze, ndërkohë që vazhdimisht pretendonte se paratë nuk i kishin kaluar në bankë. Kështu, Vladani detyrohet sërish që t’i dërgojë edhe 500 euro të tjera, por këtu është edhe momenti kur Elona nga Shkodra ndërpret kontaktin me të duke mos i prezantuar askënd.

Më poshtë sjellim të plotë denoncimin e tij*:

Së pari më duhet t’ju them se unë nuk flas shqip dhe janë duke komunikuar me Google Translate. Emri im është Vladan J. dhe jeton në Nish të Serbisë. Më duhet të them se jam mashtuar nga një grua shqiptare e quajtur Elona Q. nga Dobraçi i Shkodrës. Ajo është nënë e katër fëmijëve dhe është e martuar në Republika Srpska e Bosnjes.

Duke qenë se jam me shëndet të dobët dhe dua të le pasardhës si edhe nëna ime të gëzohet me nipër dhe mbesa, vendosa të martohem dhe Elona me tha se mund të më ndihmonte duke më prezantuar një vajzë shqiptare.

Kur e pyeta ajo me tha se zakonisht i ndihmon njerëzit që të martohen dhe për këtë ka lidhje edhe me ambasadën shqiptare, e cila sipas saj e paguan për të bërë këtë punë.

Ajo me dërgoi fotografinë e një gruaje, e cila sipas saj pranonte të martohej me mua, ndërkohë që më mori edhe dokumentet e mira origjinale me arsyetimin se do të fillonte procedurat e martesës si edhe të sjelljes së vajzës shqiptare për të jetuar me mua në Serbi.

Në qershor 2021 ajo më kërkoi 500 euro si pagesë për fillimin e procedurave dhe unë ia nisa. Pastaj jemi takuar në Podgoricë dhe aty më tha se nuk i kishte marrë paratë, por ishte afruar data për takimin e vajzës që ajo thoshte se donte të martohej me mua.

Pastaj më kërkoi edhe 500 euro të tjera, të cilat ia kam nisur përmes bankës Unicredit Banja Luka.

Unë udhëtova më pas për në Shqipëri për të takuar vajzën, por Elona pastaj më tha se ajo nuk donte të martohej me mua dhe këtu kuptova që isha mashtruar.

Tani ajo ka dokumentet e mia si edhe 1 000 euro, të cilat ia kam dërguar unë. Dua që të rimarr mbrapsht dokumentet dhe paratë e mia pasi jam i sëmurë si edhe nëna ime ka pësuar një tronditje të madhe nga kjo situatë e krijuar.

*letra është e korrektuar.
/abcnews.al