Të intrigon me përmbajtjen e saj kënga e vjetër “Zaganjorit”, e cila sot gjallon në tregun brilant e Ahengut tëVjetër Shkodran nën titullaturën “Kur ka hypë Jonuzi në lundër”. Njeriu i zakonshëm mund të pyesë me të drejtë se kujt i kushtohet kjo këngë. A është ajo këngë dylberësh apo është këngë që i kushtohet dashurisë së pastër të vajzës?! Pas kërkimesh këmbëngulëse për javë të tëra, arrita të zbuloja të vërtetën e pakontestueshme, e cila qëndronte e fshehur për dekada me radhë. Ndoshta e kishin fshehur shekujt, ndoshta e vërteta qëndronte e ruajtur me kujdes nën tallaganin osman, në kodin e heshtjes. Pyetjet e mësipërme nuk qëndrojnë, asnjëra, as tjetra. E vërteta është krejt tjetër


Para shumë vjetësh, në fshatin Zogaj afër Shkodrës, që ishte një fshat peshkatarësh, jetonte Alush Efendi Çoba. Kishte një djalë kaq të pashëm e të bukur, sa kur dilte nga Zogajt në Shkodër, kishte rastisë që t’u binte alivani femrave. Nuk kishte kund djalë më të pashëm. Ky quhej Jonuz. Një vajzë e bukur shkodrane e atyre viteve e simpatizonte dhe i dilte në ëndërr Jonuzi. Një ditë kur po mbushte ujë te pusi, i hapet hallës së vet dhe i tregon dashurinë që kishte për Jonuzin, sa ishte gati të i dilnin mendët prej krejet për të. Vajza ishte gati të jepte jetën për Jonuzin. Halla vihet në pozitë të vështirë. Mbesa kishte rënë në dashuri shpirtërore me djalin zaganjor që shihnin shpesh në pazar tek moloja.


Duhet të sqarojmë lexuesin se fshati Zogaj në kohën e turkut nuk kishte rrugë makine. E vetmja gjë që dipononin zaganjorët ishte një punishte me pak punëtorë, ku thaheshin e përpunoheshin luspat(paret)e gjuhcave që eksportoheshin dhe shiteshin me çmim të kripur në Paris dhe përdoreshin për lyerje me shkëlqim të pallateve luksoze. Duhet të shtojmë edhe faktin se zaganjorët gjatë periudhës osmane merreshin edhe me kontrabandë lëkurash dhe duhani me Malin e Zi. Ketë punë bënte edhe i ati i Jonuzit duke tregtuar kryesisht këta dy artikuj fshehurazi me malazezët, derisa u vra me pabesi nga shkjetë. Zaganjorët udhëtimin për në Shkodër e bënin me lundra. Zbrisnin në molo ku ishte edhe Pazari i Shkodrës me 4.000 dyqane ku bënin shitblerjet që kishin nevojë. Keëtë ritual bënte edhe Jonuzi pothuajse përditë.

E ndodhur përballë kësaj pozite, halla e vajzës që nuk i përmendet emri, paguan pare dhe i qet këngën Jonuzit, e cila për herë të parë këndohet tek një kojshi i tij në Zogaj, i cili kishte një shyqyr dhe kishte thirrur nga Shkodra ahengxhinjtë.


Kur ka hypë Jonuzi në lundër, Gjithë liqeni po shëndritë,
Zaganjori fort i bukur Perendija e ka goditë


Kënga pati sukses të plotë sa u mblodhën gjithë Zogajt për të dëgjuar. Kanë kaluar vite e dekada, janë ndërruar sisteme dhe kënga perlë ushton edhe sot e bukur, e dashur dhe melodioze. Do të kalojnë përsëri vite, dekada dhe shekuj dhe kënga do të këndohet dhe do të këndohet, se këngët janë si diamantet, sa më të vjetra dhe aq më të bukura bëhen. Kjo ishte historia e Jonuzit, e vërteta e tij dhe e dashurisë së tij të pastër.