Më 19 gusht, Kuvendi i Malit të Zi, do të mbajë votë mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç.
Seanca është caktuar në orën 11:00.
Në të do të marrë pjesë edhe vetë Abazoviç me ministrat e kabinetit të tij.
Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Kjo marrëveshje u vlerësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.
Iniciatorët po ashtu kanë vlerësuar se Qeveria ka pasur detyrë prioritare reformimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit, ashtu që të përshpejtohet procesi i integrimit evropian.
“Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviçit, që rezulton në rritje të tensioneve në shoqëri, dhe humbje potencialisht të pariparueshme të kohës për përmbushje të obligimeve nga agjenda jonë evropiane, Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj”, është thënë në iniciativë.
Një pjesë e partive nuk kanë qëndrim të qartë
Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, pro-serb dhe pro-rus, Demokratët e Alleksa Beçiçit, Partia Boshnjake dhe as një pjesë e partive kombëtare shqiptare, nuk kanë qëndrim të qartë rreth nismës për rrëzimin e Qeverisë.
Një pjesë e votave të tyre – të paktën pesë – nevojiten për rrëzimin e Qeverisë.
Vetë kryeministri Abazoviç, nuk ka mundur të deklarojë me siguri nëse Qeveria do të mbijetojë apo do të rrëzohet në këtë seancë parlamentare.
Ai vazhdimisht ka paralajmëruar se nëse Qeveria “i mbijeton votës”, është i gatshëm që të nesërmen të rindërtojë Qeverinë, në marrëveshje me Frontin Demokratik, që aktualisht është në opozitë, si dhe me demokratët e partitë tjera që duan të përfshihen në udhëheqësi.
Votat e kujt janë të sigurta?
Iniciatorët për rrëzimin e Qeverisë kanë 36 deputetë të shumicës parlamentare, të udhëhequr nga Partia e Gjukanoviçit, e cila i ka dhënë më parë mbështetje pakicës së kryeministrit Abazoviç.
Së bashku me këtë parti, nismën për rrëzimin e Qeverisë e ka përkrahur edhe Partia Socialdemokrate, e cila ka dy poste ministrore, Socialdemokratët, që janë në opozitë, Partia Liberale dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve.
Qeveria e Abazoviçit është formuar më 28 prill, meqë në shkurt është rrëzuar Qeveria e Zdravko Krivokapiçit, pikërisht me iniciativën e Abazoviçit.
Qeveria e Krivokapiçit është formuar nga Fronti Demokratik, Demokratët, dhe Lëvizja qytetare, URA, e Abazoviçit.
Qeveria e ekspertëve, në krye me Krivokapiçin, dhe ajo e pakicës, në krye me Abazoviçin, janë formuar në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të gushtit 2020.
Në atë proces zgjedhor, opozita e atëhershme pati mundur Partinë Demokratike të Gjukanov0069çit (DPS) dhe partinë e saj partnere.
Në ato zgjedhje parlamentare, DPS ka humbur pushtetin pas 30 vjetëve dhe ka kaluar në opozitë.
Mundësi e re për të rrëzuar Qeverinë më 2 shtator
Nëse Qeveria e Abazoviçit mbijeton, e ardhmja e saj do të sfidohet sërish më 2 shtator, kur do të mbahet seanca e re e Kuvendit, me iniciativën e Frontit Demokratik dhe Demokratëve.
Këtë propozim e kanë paraqitur 32 deputetë, duke kërkuar njëkohësisht që në atë seancë të diskutohet edhe shkarkimi i kryetares së Kuvendit, Danijela Gjuroviç.
Si arsye për rrëzimin e Qeverisë, deputetët kanë përmendur humbjen e kapaciteteve funksionale dhe thellimin e krizës ekonomike.
“Qeveria e kryeministrit Abazoviç vazhdimisht ka treguar paaftësinë e saj për t’u mbrojtur nga ndikimet e brendshme destruktive politike, të cilat çuan në mosbesim të ndërsjellë dhe konfrontime të vështira brenda vetë Qeverisë. Kjo shkaktoi pasiguri dhe ekstremizëm të situatës në Mal të Zi.”
Partitë opozitare nuk kanë shpjeguar pse kanë propozuar një datë të re për diskutimin e rrëzimit të Qeverisë së Abazovçit, kur të premten, më 19 gusht, do të votohet për diçka të tillë.
Dy nismat për rrëzimin e Qeverisë së Abazoviçit janë nënshkruar nga gjithsej 68 deputetë të partive në pushtet dhe opozitë, nga 81 deputetë sa janë në Kuvendin e Malit të Zi./REL
Comments are closed.