Se mu më thojnë Adem Kastrati
Në hyrje të Shkodrës së vjetër ka qenë një lagje që quhej Karahase. Në një shtëpi të fisme jetonte një vajzë perri. Kushdo që kalonte përballë shtëpisë së saj do të drejtonte shikimin nga ajo shtëpi se mos shihte kund vajzën perri. Dhe një ditë kaloi një shofer me maqinë tij. E pau vajzën bukuroshe dhe i mori mendet.

Dhe ky shofer quhej Adem Kastrati. Shoferi Adem Kastrati, duke veçuar borine e fuqishme si elementin më poetik te maqines se tij dhe njeherazi si mjet artistik për lajmërimin e të dashurës së tij, e vë atë në një rol të tillë që të mbajë gjithë peshën emocionale të këngës. Sa herë që kalonte para shtepisë së vajzes i binte tri here borise të maqinës. Ky ishte sinjali, ose ishareti qe vajza te dilte ne oborr. Dhe vetkuptohet se në kohën e Zogut ishin të pakta makinat dhe zanati i shoferit shihej si privilegj i madh. Kishte raste që vajza ishte tek pusi dhe dëgjonte boritë e makinës që binin në mënyrë të panderprerë. Veç kaq ishte njohja, por e mjaftueshme për t’i qitë një këngë.

Kena ndodh njerez fanatike , Nuk e dimë se ç’asht sheriati
Do ta baj vajzën me ikë Se mue më thojnë Adem Kastrati

Eshtë kënga “Jallah u shofsh moj Karahase”. Vetëm në këtë strofë i del emri Adem Kastratit dhe kjo mjafton për t’i siguruar atij “passaportën” e përjtësisë.

Ndonse vajza martohet e merr për burrë tjetër njeri, simpatia e Adem Kastratit mbetet e përjetëshme. Pas çlirimit Adem Kastrati punoi në Teatrin “Migjeni”, si aktor teatri dhe estrade. Luajti role të bukura dhe plot përkushtim. Para pensionit e mbaj mend Ademin edhe roje teatri. Ishte një plak shumë i shëndoshë e barkmadh. Pas vdekjes iu dha titulli “Artist i Merituar”.


Ajo që të bën përshtypje dhe të intrigon më tepër eshtë fakti se Adem Kastrati pak dhe aspak përmendet si aktor i Teatrit “Migjeni” dhe Artist i Merituar, ndërsa si ashik i Ahengut Shkodran i del emri në Shkoder se paku 100 herë në javë. Vetëm një strofë kënge u desh që emri i tij të këndohej në dasma, fejsa, sofra festive, ziafete e sebepe.