Kjo do të jetë fundjava më e kushtueshme sa i takon energjisë elektrike, ku një ditë do të kushtojë mbi 3.8 milionë euro. Në tenderin e fundit të hapur nga Korporata Elektro-energjetike, janë shpenzuar mbi 7.6 milionë euro për të blerë energji elektrike për të shtunën dhe të dielën. Për të furnizuar konsumatorët janë blerë në total 15,624 megavat energji në bursë me çmim mesatar 487 euro. Këto janë vlerat më të larta të shpenzuara për të blerë energji për vetëm dy ditë.
Çmimet e energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare ditët e fundit kanë kapur shifra rekord deri në 747 euro për megavat. Prej janarit deri më tani janë importuar rreth 260 milionë euro energji elektrike, ndërkohë që blerjet nuk do të ndalojnë. Menjëherë pas mbylljes së tenderit të fundjavës, KESH ka bërë shpalljen tjetër ku kërkon të blejë 47,600 megavat energji elektrike, për datat 22-28 gusht.
Këto ankande për blerje energjie po bëhen në një periudhë ku në vend thatësira dominon, ndërsa në bursën Hungareze aktualisht çmimi për megavat është mesatarisht 517 euro, dhe pritet të arrij kulmin në darkë në 568 euro një megavat.
Për shkak të krizës globale të energjisë, ku çmimet po rriten vazhdimisht, qeveria ju bën thirrje qytetarëve që të kursejnë. Nga ana tjetër situata hidrike në vend nuk është optimiste pasi vetëm në 2 javët e para të muajit gusht niveli i Fierzës ka rënë me rreth 3 metër, dhe aktualisht është në kuotën e 278.6 metër.
Comments are closed.