Nga Esiona Konomi
Parlamentit i është bërë gati një dokument i cili do të përbëjë zhurmën më të madhe të sesionit të ri. Socialsitët duan të ndryshojnë ligjin e dekriminalizimit, me qëllim që personat që kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, të mos futen në parlament.
Nisma vjen së fundmi pasi Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i shkroi parlamentit se kishte zbuluar që ish presidenti Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor i sigurimit.
Ndryshimi ligjor i hartuar në selinë rozë, thotë se:
“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit”.
Nëse një ligj i tillë miratohet, atëherë hartuesit e mazhorancës kanë parashikuar heqjen e menjëhershme të mandatit atyre deputetëve që mund të dalin me probleme me dosjet.
“Personave që janë duke ushtruar funksione të larta publike që provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit u ndërpritet mandati dhe shkarkohen nga detyra për këtë shkak ligjor”.
Verifikimi i të dhënave do të bëhet nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Miratimi i një ligji të tillë, kërkon 84 vota, të cilat PS nuk i ka e vetme, por që shpreson t’i gjejë tek grupi i deputetëve demokratë që mbështesin Bashën.
Ndërkohë vihet se, se nuk është ndryshuar ai nen i ligjit të dekriminalizimit që mund të largonte nga parlamenti Berishës. Pikërisht aty ku mund të konsiderohej pengesë edhe shpallja non grata, sic konsiderohet aktualisht dëbimi nga një shtet i huaj.
Comments are closed.