Bordi i Transparencës ka rritur çmimin e naftës me 6 lekë/litër. Nga sot nafta do të shitet me 227 lekë/litër, nga 221 lekë/litër që ishte. Ndërkohë, çmimi i benzinës është ulur me vetëm 1 lekë e ndërsa ai i gazit është ulur me dy lekë. Benzina do të shitet 201 lekë/litër nga 202 lekë/litër, ndërsa gazi do të tregtohet me 78 lekë/litër nga 80 lekë/për litër.
Ndonëse në disa bursa ndërkombëtare çmimi i naftës ka pësuar një ulje të ndjeshme dhe ka shkuar në nivelet e para luftës, Bordi sqaron se sipas aktit normativ të miratuar nga qeverisë i referohet bursës agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD. Sipas Bordit, në këtë agjenci ditët e fundit ka patur rritje të çmimi i naftës, ndërkohë që është ulur çmimi i benzinës. Në njoftimin zyrtar, Bordi shprehet se shkak për rritjen është bërë edhe forcimi i dollarit në raport me lekun, çka sjell edhe rritjen e çmimit në Shqipëri.
Për këtë çështje ka reaguar edhe opozita, sipas së cilës çmimi i hidrokarbureve ka rënë në bursë dhe vetëm në Shqipëri nuk po merren masa për mbrojtjen e konsumatorit. Sipas Ilir Metës, Bordi ka për qëllim të rrjepë qytetarët shqiptarë. Ndërsa, deputeti i PD, Dash Sula thotë se një litër naftë sot duhej të shitej 14 lekë më pak.
“Çdo referencë mbi uljen apo rritjen e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, nuk impakton në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë bursën e nënprodukteve gazoil, benzinë. Për të informuar drejt dhe pa shtrembërime opinionin publik, media dhe faktorët e ndryshëm politikë dhe jopolitikë duhet ti referohen të dhënave zyrtare të agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, për bursen e mesdheut. Administrata Doganore është orientuar që të bëjë publik informacionin mbi lëvizjet e kësaj burse me qëllim që askush të mos shtrembërojë realitetin dhe të abuzojë me informacionin.
Nga Vendimi i fundit i Bordit Nr. 45, Prot, datë 11.8.2022, i cili i referohet të dhënave zyrtare të agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD të datës 10.8.2022, lëvizja e çmimeve ka qënë si vijon:
Datë 11.08.2022: Benzina 10 ppm +29 USD/ton; Gazoili 10ppm +42 USD/ton. Datë 12.08.2022: Benzina 10 ppm + 6 USD/ton; Gazoili 10ppm + 66 USD/ton
Datë 15.08.2022: Benzina 10 ppm – 5 USD/ton; Gazoili 10ppm + 41 USD/ton
Datë 16.08.2022: Benzina 10 ppm -20 USD/ton; Gazoili 10ppm +40 USD/ton
iii. Kursi i këmbimit LEK/USD, i cili impakton gjithashtu çmimin përfundimtar të karburanteve, është rritur me +1,42 lekë, krahasuar me kursin zyrtar të përdorur në mbledhjen e fundit të Bordit. Pra, pavarësisht se çmimet në bursë kanë pasur tendencë rritje, në javën e fundit, Bordi nuk ka marrë Vendim të menjëhershëm për rritjen e çmimit të nënprodukteve”, shkruhen në njoftim.
Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njofton se për përditësimin e çmimeve të hidrokarbureve i referohet agjencisë “S & P Global Platts” me qendër në Londër, të cilës i referohet edhe Bordi. Drejtoria e Doganave shkruan se me këtë agjenci bashkëpunojnë prej 15 vitesh.
“Burim për përditësimin e produkteve hidrokarbure, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përdor të dhënat ditore (ditë pune) përmbyllëse, të publikuara nga një prej agjencive ndërkombëtare më me reputacion “S & P Global Platts”, me qendër në Londër, me të cilën kjo drejtori bashkëpunon prej 15 vitesh. Theksojmë faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Doganava për artikujt si: benzinë, gazoil, mazut, solar, vajgur, jet, gaz i lëngshëm (butan, propan), biodiesel shfrytëzon të dhënat përmbyllëse ditore të S&P Global Platts. Me këto të dhëna informohen çdo ditë strukturat doganore”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Çmimet e reja janë futur në fuqi nga ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Çdo biznes i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.
Comments are closed.