Deri në qershor, të dhënat e fundit të disponueshme të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj ishin 16% më shumë për 6 mujorin se e njëjta periudhë e 2019-s dhe 40% më shumë vetëm në qershor.
Duket se janë të huajt që po e mbajnë në këmbë turizmin këtë vit dhe kryesisht në bregdetin e Durrësit e atë të Vlorës e Sarandës, ndërsa pushuesit vendas janë në rënie. Kjo për disa arsye:
-Së pari, vitin e kaluar shumë vende kishin kufizime për të udhëtuara, çka bëri që shumë pushues të zgjidhnin Shqipërinë. Tashmë shumë prej tyre kanë ikur jashtë, të nxitur dhe nga biletat ajrore më të lira. Turqia mbetet një vend i preferuar, por edhe shtete të Europës si Portugalia, Spanja, apo edhe Greqia e Italia që janë destinacione të përvitshme.
Së dyti, emigracioni po ndikon çdo aspekt të ekonomisë së vendit, teksa ikja e të rinjve ka ulur dhe fluksin e turistëve në zonën e Jugut, që ishte e preferuar për këtë grupmoshë. Operatorët thonë se dhe jeta e natës është e dobët këtë vit.
-Së treti, çmimet e larta dhe perceptimi për raportin cilësi -çmim kanë bërë që shumë pushues të refuzojnë në heshtje bregdetin e zonës së Himarës dhe Dhërmiut, që po rezulton këtë sezon me zënien më të ulët të kapaciteteve hoteliere.
Rritja e çmimeve është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht. Në korrik inflacioni arriti në 7.5% më i larti në 20 vjet, ku ndikim kryesor e dha shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve.
Operatorët turistë pohojnë se është shkurtuar koha e pushimeve në 4-5 ditë, nga një javë që ishte normalja më parë, ndërsa janë reduktuar dhe udhëtimet e fundjavave. Kjo konfirmohet indirekt dhe nga konsumi i karburanteve, që në korrik dhe gusht po rezulton më i ulët se vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Shoqata e Hidrokarbureve.
Comments are closed.