Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median franceze “Francesoir” ku ka folur mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe përparimet e bëra që prej shkëputjes së vendit nga komunizmi
I pyetur mbi masën e përshtatjes së shqiptarëve në vlerat europiane, Rama tha se kudo ku shtetasit shqiptarë kanë emigruar, kishin shkëlqyer duke pasur sukses, ndërsa theksoi se këtu situata ishte më e vështirë për krijimin e një komuniteti vlerash.
Më konkretisht, çfarë do të ndryshojë në përditshmërinë e Shqiptarëve? A do të ndryshoni monedhën ?
Këto janë çështje në diskutim, por ajo çfarë ndryshon që tani, është mënyra e të punuarit, të të imagjinuarit e ndërtuarit të ardhmen. Bëhet fjalë për ndërtimin e një shteti që nuk e kemi patur kurrë më parë. Deri më tani, nuk e kemi njohur shtetin e ligjit, shtetin e bërë enkas për qytetarin, ku gjykatësi është gjykatës, dhe pushteti është i ndarë si duhet. Ky është një ndryshim.
Për më tepër, Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar nga vendet komuniste. Ne nuk kishim marrëdhënie e shkëmbime madje as me vendet e Lindjes që i përkisnin dikur bllokut komunist.
Ne, ishim Korea e Veriut e Europës. Ky është një ndryshim thelbësor shumë i thellë.
A do e ndjekin Shqiptarët këtë ndryshim ?
Shqiptarët janë fantastikë kur bëhet fjalë për përshtatje. Në të gjitha vendet ku Shqiptarët kanë emigruar, ata kanë shkëlqyer, cilado qoftë puna që kanë bërë. Jashtë shtetit, ata luftojnë e gjithmonë ia dalin. Këtu, mund të jetë më e vështirë, sepse bëhet fjalë për krijimin e një komuniteti pune e vlerash, sepse është edhe çështje traditash, kulture dhe historie. Por do ia dalim !
Comments are closed.