Cristiano Ronaldo ishte shumë pranë rikthimit në Seria A italiane. Sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport” kartoni i 37-vjeçarit i është ofruar dy skuadrave nga Milano, Interit dhe Milanit. Agjenti i sulmuesit, Horge Mendes ka bërë tentativa të dëshpëruara për të akomoduar në një tjetër skuadër 5 herë fituesin e “Topit të Artë”

Megjithatë, dy klubet e kanë refuzuar menjëherë idenë duke e konsideruar operacionin si të parealizueshëm nga pikëpamja ekonomike. Paga e majme e Ronaldos, prej 24 milionë Euro në sezon është parë si mjaft e lartë për arkat e klubeve të Seria A, por edhe për skuadra që kanë shfaqur interes për ish-in e Real Madrid dhe Juventus.

Në gjurmët e tij u gjenden edhe Napoli e Atletico Madrid, skuadra që i siguronin pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, por që nuk përmbushnin kërkesat ekonomike të 37-vjeçarit.

Ronaldo duket i pakënaqur te Mançester Junajtid, që i ka bërë edhe një start negativ kampionatit. “Djajtë e kuq” kanë humbur dy duelet e para të Premier League, diçka që nuk ndodhte prej 1 shekulli. Situatë që sigurisht nuk i ka pëlqyer Ronaldos, i vënë në qendër të kritikave të tifozëve anglezë.

Klan News