Aktualitet

Daily Malil në Has:Të rinjtë ëndërrojnë Anglinë, vajzat sorollaten kot në qytet se..



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:47 – 13/08/22 |

4 në 10 emigrantë që kalojnë ilegalisht kanalin e “La Mansh-it” që ndan pjesën kontinentale të Europës nga Britania e Madhe, janë nga Shqipëria.

Nisur nga këto statistika media britanike Daily mail dërgoi gazetarë në qytetin e Hasit, qytetin nga ku ka më shumë emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe, ku zhvilloi dhe një reportazh.

Nga intervistat e zhvilluara atje në kuadër të dokumentarit, rezultoi se shumë prej të rinjve janë larguar nga vendlindja drejt Anglisë për një jetesë më të mirë, ndërsa vajzat nuk merreshin me asnjë punë pasi merrnin të ardhura nga familjarët në Angli.

Në përfundim të dokumentarit, gazetari britanik doli në konkluzionin se të rinjtë largohen për shkak të papunësisë dhe të pagave të ulëta që ofrohen në vendin tonë.

Artikulli i plotë i Daily Mail

Ai është 1 metër e 80 i gjatë dhe pi duhan, por i riu që qëndron me një grup miqsh në një cep të rrugës së Hasit, një qytet i vogël në malet e Shqipërisë veriore, është vetëm 13 vjeç.

Kur ai nxjerr paketën e cigares për të më ofruar një, zëri i tij i lartë e bën të qartë se është ende fëmijë.

Megjithatë, si shumë të rinj të tjerë në këtë vend, ai është i vendosur të ikë sa më shpejt nga Shqipëria.

“Unë do të iki me gomone për në Angli muajin tjetër”, më siguron me një anglishte gati perfekte, me një theks të lehtë shqiptar.

“Gjashtë nga miqtë e mi nga shkolla janë nisur për në Angli këtë verë. Më mungojnë që tani.”

Më thotë se quhet Gjergji, por, ndërsa unë nxjerr fletoren dhe shkruaj emrin, gjërat fillojnë të përkeqësohen. Duke më rrëmbyer me dhunë bllokun, më kërkon stilolapsin dhe shkarravit mbi emrin. “Ik zhdukuni”, bërtet teksa shokët e tij më rrethojnë dhe thërrasin njëzëri “Go, London, London”.

Është e qartë se ata nuk janë shumë të dhënë pas të huajve, madje edhe nga Britania, që jetojnë këtu. Më shumë djem adoleshentë udhëtojnë drejt Anglisë me gomone nga ky qytet i varfër dhe me gropa, tre orë larg me makinë nga kryeqyteti i Tiranës, sesa nga kudo tjetër në Shqipëri, thotë kryebashkiaku, 52-vjeçari Liman Morina. Është një fenomen që është e pamundur ta injorosh.

Jo vetëm që tregimet e tyre janë në të gjithë rrjetet sociale, por lajmet e televizioneve shqiptare shfaqin pamjet e të rinjve që mbërrijnë në Dover vazhdimisht. Dhe shumë janë fytyra të njohura për z. Morina. Midis emigrantëve, ai vëren rregullisht fëmijë që vetëm disa javë më parë jetonin me familjet e tyre në Has.

I ulur në zyrën e bashkisë së tij, me flamurin shqiptar, një shqiponjë dykrenare në një sfond të kuq,  ai duket i dëshpëruar. “Qyteti ynë po zbrazet”, thotë ai. “Ne po humbasim fëmijët tanë, gjakun tonë, ndërsa ata largohen. “Këtë verë, djemtë 15 vjeç apo edhe më të vegjël janë zhdukur sepse kalimet me varka tani kushtojnë pak. Prindërit i lënë të shkojnë. Ata mendojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë në Angli. Është një vendim ekonomik.’

Eksodi i rinisë shqiptare është në qendër të vëmendjes pasi një material i publikuar nga Mail on Sunday fundjavën e kaluar tregoi se rreth 4 në 10 migrantë në varkat e trafikantëve që kalojnë nga Franca në Angli gjatë gjashtë javëve të fundit ishin nga ky vend i vogël ballkanik.

Të enjten doli se ata janë të vendosur për të qëndruar.

Më shumë shqiptarë kanë deklaruar se janë trafikuar apo që janë bërë viktima të skllavërisë sapo kanë kaluar në Angli krahasuar me kombësitë e tjera.

Zyrtarë të imigracionit dyshojnë se shumë prej tyre gënjejnë për të rritur shanset për azil e për të shmangur dëbimin mbrapsht në Shqipëri.  Asgjë nga këto nuk po e ndal eksodin nga Hasi.

Kryetari i bashkisë, një ish-mësues shkolle, ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester, por lutet që tre fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë nga 10 deri në 20 vjeç, të mos largohen nga Hasi. Megjithatë, ai pranon se qyteti i tij ‘ndihet pjesë e Londrës’ sepse pothuajse çdo familje ka një të afërm të ngushtë që jeton në kryeqytetin anglez ose në një qytet tjetër të madh në Mbretërinë e Bashkuar.

Që nga 24 qershori, kur shkollat ​​e mesme të Hasit u mbyllën për verë, zyrtarët e arsimit këtu thonë se më shumë se 60 djem adoleshentë kanë ikur në Angli. Marrja e një vize në Mbretërinë e Bashkuar është e vështirë dhe e kushtueshme, por shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza, me anije ose avion, në Bashkimin Evropian përpara se të udhëtojnë në Francën veriore për të hipur në një gomone trafikantësh.

Një zyrtar thotë se në fund të vitit shkollor, 19-vjeçarët mbaruan shkollën i përshëndetën mësuesit me fjalët “mirupafshim në Londër”, në vend të një “mirupafshim” të thjeshtë.

Ai shton: “Anglishtja tani është lënda e preferuar në çdo shkollë të mesme. Madje nxënësit adoleshentë iu thonë mësuesve ‘thank you, sir” kur mbaron mësim. Nuk bëjnë asnjë mungesë. E dinë që anglishtja është e rëndësishme pasi gjuha iu duhet për të jetuar në vendin tuaj”.

Kur të nisë viti i ri shkollor, pas pak javësh, shkollat nuk e kanë idenë se sa nxënës do të mungojnë në banka.

Në fund të këtij viti shkollor, kishte vetëm 480 nxënës në regjistër. Të tjerët kishin shkuar në Angli.

Media sociale, sidomos TikTok, nuk reshtin së prezantuari jetën e re në Britani.

Bandat shqiptare që veprojnë në Francë postojnë me guxim video ku me reklama në gjuhën e tyre për “ulje verore” për kalimin e La Manshit, me çmime që janë ulur deri në 2 mijë paund për person.

Me muzikë të lartë rap në sfond, kanë reklamuar madje edhe një “shërbim jahti” 15 mijë paund nga Calais apo Dunkirk për në Angli.

Të paktën deri mbrëmë, videot e tyre ishin ende në TikTok për të joshur klientë të rinj.

E ta mendosh që dikur shqiptarët ishin të rrallë në Britani. Deri me rënien e komunizmit, tri dekada më parë, vendi i vogël ballkanik ishte i izoluar, pa asnjë kontakt me botën e jashtme.

Censusi i vitit 1991 në Mbretërinë e Bashkuar, dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, regjistronte vetëm 338 shqiptarë që jetonin atje. Sot numri shkon në dhjetëra mijëra, shumica ilegalisht sepse nuk kanë të drejtë ligjore për azil pasi nuk vijnë nga një vend i shkatërruar nga lufta.

Dhe kështu numrat rriten. Këtë javë, Zyra e Statistikave Kombëtare nxori të dhënat e reja që tregojnë se shqiptarët përbëjnë një nga kombësitë kryesore për lindjet “jo nga Mbretëria e Bashkuar”, që janë bebet e lindura nga prindër të huaj. Nënat shqiptare sollën në jetë 3260 fëmijë vitin e kaluar vetëm në Angli e Uells. Sigurisht, e kundërta po ndodh në Has.

Ka më pak lindje, pasi burrat e rinj kërkojnë një jetë të re, duke lënë pas vajzat që – në rrethana të tjera – do të ishin gratë e tyre.

Vajzat sorollaten në qytet pa pasur diçka për të bërë. “Thjesht rrinë gjithë kohën e shohin thonjtë ose celularët”, thotë një banakier që ka një kushëri në Manchester.

“Nuk kanë nevojë për të punuar, sepse iu dërgojnë para vëllezërit nga Anglia. Ndërkaq, djemtë me të cilët do të ishin martuar rendin pas vajzave të tjera kur shkojnë atje”.

Pak i kuptojnë pasojat katastrofike për Hasin. Islam Kuki, një ish-oficer policie, 58 vjeç thotë se nuk e ka parë të birin, Darim, që kur iku në Angli shtatë vjet më parë, në moshën 15 vjeçare.

Që atëherë kanë ikur edhe dy djemtë e tjerë më të rritur, në të 30-at. Asnjë prej tyre nuk ka lejen e Ministrisë së Brendshme për të qëndruar përgjithmonë në Britani, megjithëse u lejohet të punojnë.

Rezultati? E kanë të vështirë të vizitojnë prindërit që jetojnë në një apartament jo larg qendrës së Hasit.

“Jeta nuk ka kuptim kur nuk i sheh fëmijët çdo ditë”, tha ai. “Të gjithë duan shumë të vijnë e të na shohin, por nuk munden se druhen që Anglia nuk do t’i lërë të kthehen prapë atje. Na ka thyer zemrën neve si familje e të tjerëve si ne. Nuk po i shohim nipërit të rriten. Kemi mbetur vetëm”.

Darimi ndoqi një rrugë të rrahur nga shumë emigrantë shqiptarë. Kur ai arriti në Angli, i fshehur në kamion në një nga tragetet e La Manshit (mënyra kryesore para përdorimit të gomoneve), ai u fut në një qendër kujdesi si i mitur i pashoqëruar. Shkoi në shkollë, pastaj në kolegj, ku mori zanatin e hidraulikut.

Por kur mbushi 18 vjeç dhe u konsiderua i rritur, pati probleme kur aplikimi për azil iu refuzua dy herë. Vendosi të qëndronte pa letra, duke jetuar me frikën e kapjes nga policia dhe dëbimit si emigrant i paligjshëm. Punonte ilegalisht me shqiptarë të tjerë në ndërtim, u dërgonte para prindërve dhe pagoi për dy operacione bypass në zemër për të atin. Që atëherë ka marrë një numër sigurimesh, por nuk i është dhënë asnjëherë e drejta e përhershme për të jetuar në Britani. I ati dhe shumë prindër në Has këmbëngulin se është e pamundur të kesh një jetë të mirë në Shqipërinë veriore. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë.

Nuk ka punë mjaftueshëm. Qyteti ka 5000 banorë, shumë në moshë pune, por vetëm 700 punojnë, 300 prej tyre në sektorin publik, si policë, shërbyes civilë apo mësues, që paguhen nga shteti.

Shumë familje, edhe ato që janë të punësuar, mbështeten shumë në paratë e dërguara nga fëmijët e tyre nga Britania, sepse nuk arrijnë ta kalojnë muajin për shkak të rrogave të ulëta.

Çdo verë, emigrantë shqiptarë që kanë fatin të kenë shtetësi britanike apo leje qëndrimi, pra janë të lirë të udhëtojnë, shfaqen në qytet. Iu pëlqen t’i bëjnë paradë suksesit të tyre, duke ardhur me makina të shtrenjta, me lekë për familjet e dhurata nga dyqane të shtrenjtë në Britani.

Disa ngasin Lamborghini apo Maserati të marrë me qira për këtë rast. Këtë javë, dy nga vizitorët që vinin rrotull në Has kishin targa të shtrenjta angleze me fjalën “HAS” në to për të treguar rrënjët shqiptare. Kjo shfaqje luksi në rrugët e varfra nuk kalon pa tërhequr vëmendjen e të rinjve si Gjergji që ëndërrojnë të ikin nga qyteti ku e ardhmja është e pashpresë.

“Mendojnë se do të fitojnë shumë para e shpejt do të kenë edhe ata makina të shtrenjta nëse jetojnë në Angli”, thotë Blerim Rexhaj, 24 vjeç, pronar i “Britain”, një bar i ri i mbushur me klientë që pinë kafe e birra teksa në sfond dëgjohet muzikë shqiptare. Ndryshe nga të tjerët, ai u kthye nga Londra për të punuar në Has.

Pasi mbërriti në Angli me kamion në moshën 14 vjeç, ai u fut në një qendër kujdesi si fëmijë e pashoqëruar e më pasi studioi inxhinieri elektrike në një kolegj në Uxbridge.

“Shkova në Angli sepse kisha një xhaxha që jeton atje e që më premtoi të më ndihmonte”, më tregon. “Ai ka biznes qiradhënieje dhe drejton dy lavazhe. Kur lashë kolegjin, më dha shansin të punoja për të. Kurseva para. Punoja me orë të gjata dhe kam bërë edhe shumë punë të tjera”.

Blerimi sipërmarrës mund të bënte mirë kudo. Ndonëse nuk u dëbua nga Britania si emigrant i paligjshëm, nuk e mori kurrë lejen e qëndrimit. Kjo gjë e mbante pezull dhe e shqetësonte. Vitin e kaluar u kthye në Has dhe i përdori paratë për të hapur lokalin bashkë me dy vëllezërit, të cilët nuk janë larguar kurrë.

Nuk ishte punë e lehtë. I bën vetë pizat, sepse nuk mund të gjejë staf. “Gjashtë nga kamerierët e kuzhinierët kanë ikur në Angli brenda pak muajve. Donin të shkonin për sa kohë që çmimi i varkave ishte i lirë”, shpjegon. “Është gjë e trishtuar për Hasin”.

Jashtë barit është një pikturë e Big Ben dhe modeli me përmasa reale i një kabine të kuqe telefonike angleze, blerë për 2000 paund në internet.

Ndërkohë, në bashki, kryetari tregon vështirësitë e jetesës atje për shkak se nuk ka punë.

“Pagat e atyre pak që kanë punë janë të ulëta. Edhe pse drejtoj qytetin, unë paguhem vetëm 680 paund në muaj. Por kostoja e jetesës, ushqimi, karburanti, kushtojnë njësoj si në Angli. Do të ishte katastrofë e madhe nëse fëmijët nuk do të kishin ikur, sepse ata iu dërgojnë para nënave, baballarëve, vëllezërve e motrave. Mbi 8 familje në 10 mbahen nga ata. Edhe ata që kanë punë marrin ndihmë shtesë nga fëmijët në Angli”.

Pas tavolinës së tij është një fotografi e Mbretëreshës, me kapele gurkali, teksa përshëndet me dorë e buzëqeshur.

Kryetari thotë se do ta përdorë foton si model për një statujë të monarkes britanike që ka ndërmend ta vendosë në mes të një rrotullameje në qendër të qytetit.

Paratë për të financuar këtë ide të jashtëzakonshme do të mblidhen duke bërë thirrje për donacione nga mijëra hasjanë që jetojnë në Britani.

“Mendoj se do të dhurojnë bujarisht. Dhe ka shumë prej tyre”, thotë, me një shkelje syri.

Pastaj shton me ton më serioz: “Lidhjet midis vendeve janë shumë të ngushta, njerëzit e qytetit tim e shohin Mbretëreshën tuaj edhe si Mbretëreshën e tyre”.