Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të një japë një kredi sovrane deri në 62.9 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Njoftimi është bërë nga vetë BERZH, që gjithashtu specifikon se projekti parashikohet të bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë që, kosto totale vlerësohet në rreth 267 milionë euro. Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit ka një gjatësi prej rreth 120 km dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri. Ajo lidh qytetet e Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, ndërsa kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit.

Sipas dokumentit të projektit të zbatimit, nevoja për rehabilimin e saj ësht e madhe, pasi infrastruktura e trasesë është përkeqësuar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, teksa shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Po ashtu, kufizimet e shpejtësisë së trenave vijnë edhe nga kalesat e shpeshta të paautorizuara në nivel, ndërkohë që shumica e kalesave të autorizuara, të cilat kryqëzohen me rrugët kombëtare dhe vendore nuk janë të mbrojtura.

Po ashtu, sistemi i sinjalizimit është pothuajse inekzistent. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë. Së fundmi, tërmeti i 26 Nëntorit 2019 ndërpreu punën e kësaj linje hekurudhore për shkak të dëmtimit të urës së Ishmit. Para këtij tërmeti, transporti i udhëtarëve mbulohej nga dy trena në ditë, por numri i udhëtarëve ishte shumë i ulët.

Edhe transporti i mallrave linte për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të stërgjatur dhe kërkesë të ulët dhe jo të planifikuar. Ndërkaq, projekti i hartuar për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore do mundësojë lëvizjen e trenave me shpejtësi 120 km/orë.

Ola Mitre / SCAN