Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor informoi se në testin e rimarrjes së lejes së drejtimit pas humbjes së pikëve sot kishte vetëm 2 kalues, nga 75 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit.
Sipas DPSHTRR-së kjo është seanca e 4-ët që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në autoshkollë, në 2 muajt e parë që ky akt është në fuqi.
“S’ka shpëtim përveç riedukimit për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
73 personave të riregjistruar, do t’u duhet të ndjekin nga e para mësimin në autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim, çdo herë brenda një afati 30-ditor, me vetëm 1 mundësi prove.
“Respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kaloni në testin e praktikës! Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë! Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja”, është apeli i DPSHTRR-së. /m.m/
Comments are closed.