KronikëProdhonte mina me telekomandë, arrestohet 35-vjeçari nga Lezha

Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
Publikuar në : 08:44 – 11/08/22 |
Një 35-vjeçar nga Lezha, i cili prodhonte mina me telekomandë është arrestuar nga policia e Korçës.

Uniformat blu bëjnë me dije se pas një pune hetimore disajavore u arrestua P. C., 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në veprimtari kriminale në qytetin e Korçës, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në vendin e quajtur “Enkelana”, në Pogradec”-thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.

Ka shkuar në dy numri i të ndaluarve dhe në 6 i minave të sekuestruara, gjatë të dy fazave të operacionit “Remote”, ku faza e parë e tij u finalizua 6 muaj më parë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.