Sërish trazira në Vlorë në këto ditë të nxehta të gushtit.
Pasditen e sotme disa pushues janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, në “Vega Beach”, ku ka pasur edhe të gjakosur për shkak të sherrit me shqelma e grushte.
Shkak të këtij sherri janë bërë dy të rinj, që dyshohet se kanë ngacmuar dy gra në plazh.
Këtë skenë e kanë parë bashkëshortët e tyre dhe familjarët të cilët kanë ndërhyrë e janë konfliktuar me dy të rinjtë.
“Sot, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasit A. B., 38 vjeç dhe K. A., 42 vjeç, të cilët dyshohet se janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me tre shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, në plazhin e quajtur “Vega”, Vlorë.” – njofton policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Një ngjarje e tillë vjen 4 ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Potam të Himarës ku u vra një 7-vjeçare nga një polic me skaf.
Comments are closed.