Mbi 300 turistë janë bllokuar në portin e Fierzës pasi janë bllokuar varkat pa licensë, të cilat bëjnë transportin për në lumin e Shalës.

Policia e Bajram Currit ka mbërritur në port dhe po bën shpërndarjen e turistëve pasi drejtuesit nuk kanë leje për varkat që bëjnë rreth 90 minuta lundrim për në lumin e Shalës. Gani Zeneli, drejtor i Kufirit në qarkun e Kukësit që mbulon dhe Tropojën tha për Report Tv se janë bllokuar mjetet që nuk kanë dokumente ndërsa vijon lundrimi i trageteve dhe anijeve që kanë paraqitur dokumentet në Policinë Kufitare.

Si në gjithë Shqipërinë po ushtrohen kontrolle në ujërat territoriale për mjetet e peshkimit dhe mjetet e transportit të udhëtarëve. Kontrolli vazhdon pa ndërprerje.  Pak më momente ndaluam një mjet peshkimi pranë urës së Drinit në Kukës pa leje drejtimi. Po kështu po ushtrohen kontrolle në Koman dhe zona të tjera. Ata që janë bllokuar nuk kanë paraqitur dokumente. Subjektet dhe personat që ushtrojnë këtë aktivitet janë njoftuar dy ditë më parë që të paraqesin dokumentet në Policinë Kufitare. Subjektet që i kanë paraqitur janë vetem tragetet dhe anijet. Ato janë verifikuar kanë rezultuar konform ligjit janë lejuar të dalin në lundrim, të tjerët nuk lejohet të dalin si në Fierzë ashtu dhe në Koman. Duhet të disponojnë leje për drejtimin e  mjetit kur është me varkë me motorë dhe licence për ushtrim aktiviteti. Pra kush kapet në lundrim gjobitet, të tjerët mbahen të ankoruara deri në plotësim e dokumentacionit.

Ndërkohë një nga të pranishmit thotë për Report Tv se policia kundrejt ryshfetit po lejon vetëm disa prej drejtuesve që të transportojnë turistët.