Nëse në një pjesë të vijës bregdetare, edhe pse ndodhemi në muajin gusht, po vërehet një ulje e numrit të pushuesve, krejt ndryshe paraqitet situata në Alpet shqiptare.
Turistë vendas e të huaj po dynden të eksplorojnë bukuritë e natyrës dhe freskinë që të dhuron mali, në këto ditë me temperatura përvëluese.
Në zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër janë mbi 1 mijë turistë që çdo fundjavë zgjedhin të vizitojnë Thethin, Luginën e Shalës, Vermoshin, Lëpushën apo Razmën.
Agim Dardha: Për këtë sezon turizmi në zonat e mbrojtura ka një rritje të dukshme. Të gjithë e kanë kuptuar se në Parkun e Alpeve dominon turizmi natyror. Nuk kemi thjesht vizitorë, por të gjithë ata që eksplorojnë natyrën.
Sfida më e madhe për këto zona mbeten aksidentet që vijnë gjatë udhëtimit nëpër shtigjet që lidhin malësitë, pasi një pjesë e turistëve preferojnë t’i bëjnë të vetëm, pa një udhërrëfyes.
Agim Dardha: Shumë vizitorë të kësaj zone nuk preferojnë që të marrin guida dhe kemi raste fatale. Tanimë e dimë se rritja e numrit të turistëve në këtë zonë sjell si pasojë edhe ndotjen e mjedisit.
Harta e sipërfaqes së zonave të mbrojtura këtë vit është zgjeruar, duke rritur larminë e saj për pushuesit, por edhe ngarkesën për mirëmbajtje.
Comments are closed.