SPAK nuk ka arritur të kënaqë pritshmëritë e opozitës por as mazhorancës në lidhje me hetimin e korrupsionit në nivelet e larta pasi kritikat dhe akuzuat e tyre në drejtim të tij nuk kanë munguar.
Por kreu i Strukturës së Posaçme, Arben Kraja, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se institucionit që drejton nuk vepron në bazë të listave apo radhës por mbi fakte dhe prova.
Nga opozita ka kritika ndaj SPAK se nuk po veprohet ndaj politikanëve të lartë. Nga ana tjetër kryeministri Rama ka përmendur faktin se ju po godisni vetëm majtas. A e vë kjo institucionin që ju drejtoni në njëfarë lloj trysnie politike?
Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligj. Opinioni publik ka të drejtën e tij të shprehet, partitë politike po ashtu, secili e shpreh sipas interesit të tij. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ne nuk veprojmë në bazë të një liste të caktuar apo radhe të caktuar. Ne veprojmë në bazë të provave që administrohen nga hetimi për ato dosje penale që kemi. Kur arrihet të provohet fajësia e dikujt marrim masat për ti dërguar për gjykim, kjo është puna jonë. Ajo që kemi rënë dakord si grup prokurorësh, përfshirë dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve që shprehen qoftë nga partitë politike apo media të ndryshme lidhur me çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë SPAK. Secili prokuror ka dosjet e tij përpara, është i pavarur për të vendosur për to, është i detyruar të mbledhë prova, të japë zgjidhje ligjore dhe e rëndësishme është të jetë i pavarur dhe objektiv në vendimmarrje.
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Arben Kraja, ndodhet këto ditë për një vizitë në SHBA.
Comments are closed.