Siguria në plazhe dhe jo vetëm është prioritet i të gjitha institucioneve të vendit tonë dhe për këtë të gjitha institucionet duhet të bëjnë detyrën e tyre, por në rastin që çoi në tragjedinë e Himarës ku një 7-vjeçare humbi jetën, duket se kjo punë nuk është bërë. Këtë ka nënvizuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano në një letër drejtuar Prefekturave, bashkive dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që nuk kanë bërë siç duhet detyrën, ashtu siç Report Tv ka raportuar më herët.
Në letrën e Nanos thuhet se Policia e shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse, detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejtë përgjegjëse për asnjë rast, të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të mjeteve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim, ankorim të mjeteve lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe të çdo aktiviteti tjetër që lidhet me hapësirën detare dhe jo vetëm, të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje dhe moszbatim të ligjit nga çdo subjekt publik apo privat.
Ai apelon që të merren masat administrative dhe jo vetëm ndaj çdo shkelësi të ligjit.
“Siguria në det, plazhe dhe ujërat e brendshëm në thellësi të territorit shqiptar, është prioritet i veprimtarisë së institucioneve të vendit tonë. Për të garantuar dhe siguruar jetën e qytetarëve dhe të pushuesve, përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, kërkojmë bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha hallkave institucionale për të monitoruar, kontrolluar zbatimin e ligjit dhe të akteve nënligjore, në fushën e turizmit. Misioni i Policisë së Shtetit është të garantojë jetën e qytetarëve në çdo situatë apo pjesë të territorit shqiptar dhe në zbatim të ligjit është e gatshme të ofrojë gjithë mbështetjen dhe shërbimet e saj. Policia e Shtetit, si aktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, do të vijojë të ndërmarrë dhe të planizojë shërbime policore 24 në 24 orë, në të gjitha territoret e plazheve dhe zonave turistike.
Për të arritur rezultatet e duhura, policia e shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse (detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejtë përgjegjëse, për asnjë rast), të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të mjeteve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe të çdo aktiviteti tjetër që lidhet me hapësirën detare dhe jo vetëm, të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje dhe moszbatim të ligjit nga çdo subjekte publik apo privat. Të merren masa administrative dhe jo vetëm ndaj çdo shkelësi të ligjit.
Përsa më sipër, kërkohet bashkëpunim dhe angazhim konkret në zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, kërkojmë një bashkëpunim efikas me strukturat në varësi të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin, ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, inspektorateve që mbulojnë fushën e turizmit dhe inspektoratit shtetëror teknik dhe industrial, si dhe njësive të qeverisjes qendrore e vendore, në marrjen e masave dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga çdo institucion shtetëror. Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstucionale nuk bashkëpunojnë dhe nuk zbatojnë ligjin”, thuhet në letrën e Drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
Tragjedia në plazhin e Himarës, ku një gomone në shkelje të ligjit vrau një vogëlushe 7 vjeçare ndërsa po lahej në det, ka shkaktuar deri tani shkarkimin e gjithë zinxhirit të kontrollit të Policisë Kufitare në zonën e Vlorës.Mirëpo në fakt ashtu siç theksohet edhe në letrën e Nanos por edhe në raportimet tona ka dhe një tjetër institucion shtetëror, të cilit me ligj i takon verifikimi i licencave të dhëna për përdorim privat të plazheve dhe respektimin e të gjithë kushteve të sigurisë për pushuesit, përfshi bovat për ndalimin e qarkullimit të mjeteve lundruese: Kjo është Agjencia Kombëtare e Bregdetit në vartësi të Ministrisë së Turizmit, një strukturë që del zbuluar totalisht e papërgatitur në zbatimin e funksionit të saj.
Redaksia e Report Tv iu drejtua 3 ditë më parë me një seri pyetjesh zyrtare për të sqaruar aktivitetin që ka bërë AKB, autorizimet e dhëna, sanksionet marrë ndaj shkelësve dhe stafin në dispozicion për të realizuar kontrollet përgjatë gjithë bregut shqiptar siç e detyron ligji, në fakt nga AKB vendosën të mos përgjigjen me asnjë nga pyetjet kryesore duke pranuar se nga qershori deri më sot, janë bërë vetëm 178 inspektime, pa sqaruar se sa sanksione apo shkelje janë vërtetuar. Një numër inspektimesh qesharak në raport me realitetin. Në 2015 psh. vetëm në zonën e plazhit të Durrësit u monitoruan mbi 640 subjekte që ofronin shezlonge, nga të cilat vetëm 4 ishin pajisur me licenca. Sa mijëra raste të tjera abuzime të pazbuluar janë sot, nëse AKB ka bëre vetëm 178 inspektime?