Në kuadër të “Muajit të Fotografisë” ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi një fotografi nga Pjetër Rraboshta.

Ajo e cilëson Raboshtën si mjeshtër i fotografisë, që fiksoi në celuloid detaje të jetës së përditshme.

Pjetër Rraboshta lindi në Shkodër në 1917, në një familje artizanësh. Ai studioi në kolegjin jezuit dhe vitet e rinisë së hershme i kaloi në studion e Kel Marubit, si ndihmës i tij. Kreu shërbimin ushtarak në Gjirokastër, ku edhe atje u mor me fotografi. Në 1940 kthehet në Shkodër për të punuar së bashku me të birin e Kel Marubit, Gegën. 2-3 vjet më vonë hap studion e tij “Foto Rraboshta”, në rrugën kryesore të qytetit.

Pas mbylljes së sipërmarrjeve private, në 1963, ai iu bashkua kooperativës shtetërore të artizanëve. Vetëm vitet e fundit të jetës, për shkak të gjendjes shëndetësore, i la udhëtimet maleve dhe punoi në zhvillimin e fotove të kolegëve, të cilët e quanin “mjeshtri i dhomës së errët”.

Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër, në vitin 1987./Ata.gov.al