Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Prej kohësh është bërë traditë që secili prej nesh të dëshmoje mbi të vërtetat historike të antarëve familjes, fisit apo krahinës nga i kemi rrënjët. E gjitha kjo lidhet ngusht me faktin se ne malësorët e Malësisë së Madhe në të dy anët e kufirit nuk kemi mundur asnjeherë ta themi të vërtetën e këtyre maleve ashtu siç ishte, sepse ashtu si e ndanë kufiri Malësinë e Madhe në dy gjysma të mëdha duke e bërë njëkohsisht shtete ndërkufitare me vetveten, po ashtu ja ndanë edhe historinë, secila qeveri për interes të vet duke e kthyer atë në dy gjysma të vogla e të cungume, së cilës i shfrytëzuan burimet njerzore, shtazore e të mirat materjale, tuj u nundu me ja ulë edhe majat me t’nalta të lavdisë së kulturës e të historisë që u zinin diellin me krenarine që u pat falë zoti rranxë këtyre alpeve. Tendence këto që akoma dhe sot e ruajnë atë përçamje politike për interesa të atyre që sërisht nuk duan t’na shohin mirë me shoqi – shojnë, e as si vllazni t’bashkuem rreth një sofre e votre. Njëherë e një kohë gjyshat tanë tuj mos ditë shkrim e këndim nga errsira që ja pruni e vuni turku, historinë e tyre e skalitën n’këngët e knume mbi tel t’lahutës e në ato këngë jetoi edhe historia ndër ta, dhe po me këngë e trasheguan deri tek ne, me një vlersim e nderim shumë të madh. Por sot, tuj u paku lahutarët po na tretet, pluhuroset e përçudnohet historia, ndaj edhe pse nuk di ti bie lavdës, si nje nga bijt me te shkolluar te malsisë e ndjej për detyrë me shkruajt dhe unë me fjalë zemre për t’parët e mi, dhe për venin që gëzuan ata si fis ndër vllazën, miq, shokë e kumarë kudo ku i patëm nëpër keto malet e Malësisë së Madhe.


Sado që qarqet akademike e përpiluan historine e trojeve etnike në këndveshtrim të përgjithshëm, sërisht mbeten të pa thëna të vërtetat dhe kontributet e individëve, fiseve apo grupfiseve për të cilat kërkohet të zbardhen e të dëshmohen si vlera historike mbarë kombëtare në mënyrë që të unifikohet edhe historia jonë etnike.


Lidhur me këtë, lind nevoja të pasqyrohen edhe të vertetat patriotike të derës së GRIMAJVE, të fisit Ivezaj në Grudë, duke ju referuar më së shumti të dhënave arkivore dhe atyre gojore që mbartin dëshmi burimore për ta.
GRIMAJT janë një nga kater degëzimet e fisit të madh Ivezaj të cilët ruajten traditen e maleve të Malësisë së Madhe. Ata shquheshin për besë, burrni, bujari e fisnikeri ndaj mikut dhe epërsi e trimëri ndaj armikut. Ishin puntor dhe zejtarë të zotet ku jo rrallë puna e tyre vlersohej e kërkohej në tregjet e Shkodrës dhe të Podgoricës. Familjar të pikasur për ruajtjen e tradites në lidhjet e miqësive si dhe edukimin e brezave të rinj me fryme patriotike e humane, me dijeni e dhunti në të kënduar aq sa të binin në sy edhe ndër logje.


Vyrtyte këto të ushqyera nga shembulli i më të rriturve ku burrat e gimajve qitën burrni në Malsi e gratë e tyre i dhanë nder KULLËS së kësaj shtëpie. Ndër bijtë e Grimajve që përmenden për burrni ishte edhe KOLE ZEFI. Një burrë i urtë, i njohur në të gjithë malsinë. Shquhej edhe si strateg aq sa u printe luftëtarëve të Grudës në betejat me turqit e me shkijet, duke korrë gjithmonë veç fitore ndaj tyre. Duke njohur dobsitë e armikut e besuar forces dhe njohurive mbi terrenin, e vetëbesua “sahatit të hajrit” se me të drejtë të zotit duheshin mbrojtur trojet dhe gjinja,deri edhe me jetën e tij nuk kishte të ndalur. Në mençurinë e tij besuan edhe pleqnitë e maleve aq sa në vitin 1928 është thirrë me pleqnua një gjak mes Kastratit dhe Shkrelit për Bjeshkën e Granazhdolit në kuvendin e së cilës merrnin pjesë të gjitha përfaqsitë e pleqnive të Maleve të Malsisë, në prezencë edhe të përfaqsisë së klerikeve françeskan.Thuhej se pasi kanë folë të gjithë pleqt më të moshuar perfshi këtu edhe Dedë Gjonin e Shkrelit i cili ishte një nga organizatorët e kësaj thirrje per pleqni, i drejtohet Kolës me fjalët
..Kolë Zefi i Grudes, ti që je truni i shqipnisë, si e pleqnon këtë punë??
E merr fjalen Kola i matun me atë mendjen e tij të hollë, e thotë: pasha Shejtin e Shpjetër burra, u kam nie të tanve me rrallë, e pa dashtë me ranua askën unë pajtohem me gjykimin e Dedë Gjonit të Shkrelit të cilin e ka argumentua edhe me fjale.

Ka mjaftua fjala e Kolës që të falet gjaku e të pajtohen burrat në kuvend te Shpella e Frashnit.


Po kaq trim dhe me zâ nga dera e Grimajve të fisit Ivezaj ishte edhe GIC GILA i cili me trimëritë e tij kishte tmerru Vezirin e Shkodres, aq sa pas burgosjes të urdhëronte djegjen e tij në furrën e pjekjes së tullave e të tjegullave prej balte, si e vetmja mundesi për të gjetur paqe nga frika që e kishte kaplu këtë pushtues
Në krenarinë e fisit Ivezaj peshonte edhe GJON LUKU derë e parë e këtij fisi ku si vëllai më i madh ndër ta, në konakun e tij mbledheshin të gjithë burat dhe trimat e fisit Ivezaj. Në kullën e tij lidhej besa, pleqnoheshin punët e përbotshme dhe ato të fisit. E gjithë malsia kishte nderim për kullën e Gjon Lukut
Ndër trimat e fisit Ivezaj të dala nga shpija e Grimajve permenden edhe të bijt e HASAN MIRASHIT, LULASH dhe TOM HASI të cilët qitën pushkë të mirë në malsi për ti dalë zot babës së tyre i cili u vra bashkë me Sokol Dashin e Huskajve në përballje me gazermen e ushtrisë turke mbi Kalanë e Gllabicës në Pikalës në vendin e quajtur Nikoviq ku ishin vendosur garnizionet turke.
Tome Hasi i cili ishte ba halë në sy për ushtrine turke ishte ne moshen 20 vjeçare kur u vra nga garnizonet turke.Duke qënë se garnizionet turke ishin fare afër shtëpisë së tyre, ishte e pamundur te kaloje pa u ra ne sy. Në një mugë nate Toma merr rrugën me shku në shtëpine e të kushrinit të tij Kolë Zefit. Ushtria e gazermës e kishte hetua që mbante armë dhe vendosin ta çarmatosin. Simbas zakonit të maleve burrit që i merret arma çburrnohet, aq ma tepër që hakmarrja për të jatin ja çonte shpirtin peshë sa herë i shihte kundrullë shtëpije. Toma edhe pse fillikat i vetem vendosë t’u kthejë pushkën ku edhe vritet. Meqë gratë gëzonin paprekshmëri nga ligjet e luftës për t’a marrë kufomën e tij shkojne gratë e fisit dhe e bajnë me vigj, ku edhe e varrosin të nesërmen. Mbas kësaj ngjarje në kohën kur ushtria turke ishte në stërvitje dhe e pavëmendshme Lulashi, vëllai i Tomës me ndihmën e Kolë Zefit shkojnë të hakmerren dhe vrasin dy ushtar turq te Ura e Lmajsë në Cem mes Grudes e Trieshit.


Pas kësaj hakmarrje për ti shpetu përndjekjes dhe terrorit të ushtrisë turke Lulashi largohet për tre vjet në DANILLOGRAD pasi ushtarët e plackitën dhe i dogjen kullën ku i grabitën edhe gjane e gjallë. Pas rënjes së Perandorisë Turke dhe çlirimit te trojeve, Lulashi kthehet në vëndlindje ku me ndihmën e fisit dhe dashamirësve arrin të rindërtoje kullën dhe të mkamet, duke mbarshtu edhe gjanë e gjalle e fuqezu ekonomine e familjes. Që nga ajo kohë janë familja e tij është shtu, sa hisja e tij asht ba mehallë. Këto fakte heroike, tragike, kulturore e historike janë shprehje e qartë e dëshirës së madhe të familjes Grimaj të fisit Ivezaj për të jetuar të lirë në trojet e tyre bashkë me bashkëvllaznit e tyre në Malësi të Madhe.