Në fëmijërinë time të hershme më ka shoqeru urimi “Qofsh kamsheqere moj bije”

Për mentalitetin e kohës kjo shprehje nënkuptonte që mbas meje prindërit e mi të sillnin në jetë një djalë, pra një vëlla të vogël për mua meqenëse unë isha fëmija i parë. Megjithatë fati e deshi që në familjen tone të vinin nji mbas nji vajza; vajza të bukura, të mençme, të dashura e plot mirësi. Gjithmonë e kujtoj babin tim, të cilit , pvarësisht se Zoti i fali vetëm trashëgimtare vajza, nuk e tradhëoi as edhe një grimcë buzëqeshja në fytyrën e tij kur vinte e na tregonte se mami na kishte sjellë në jetë një tjetër motër. Burrë i fortë e zemërgjanë baba jem. E ne gëzoheshim, e prapë na vinte keq–gëzoheshim për beben e vogël, e na vinte keq se nuk kishim një vëlla të vockël që ti vendosnim emrin qe e kishim zgjedhur me shumë kujdes.

Megjithëse e gjithë fëmijëria e rinia ime kaloi në një ambjent femëror, babin vazhdojmë ta kemi në beben e syrit e ti japim dashurinë e pakushtëzume e respektin maksimal per vendin qe ka në jetën tonë e në familjen tonë

Vite më vonë në familjen e tim shoqi gjeta vetëm djem e fati e deshi që une të sillja në jetë djem; tashmë balanca ishte në kahun tjetër por femrat ishin në bebe e syrit duke filluar që nga nëna

Në realitetin e viteve të fundit kemi parë e dëgjuar aq shumë raste dhune, dhunë ndaj vajzave e grave, ndaj fëmijëve e dhunë brenda llojit saqë mua më dukej se jetoja në një oaz e nuk me linte të konceptoja termin dhunë në familje e dhunë me bazë gjinore

1 në 4 vajza në Shqipëri ka përjetuar dhunë nga partneri 47 per qind e grave kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim, por vetëm 8.6% e kanë raportuar. 1 në 6 djem dhe 1 në 4 vajza abuzohen seksualisht përpara moshës 18 vjec. Këto janë vetëm disa nga shifrat që pasqyrojnë këtë realitet të trishtë. Dua të ndalem pak në Shkodër

Shkodra, qyteti ku jam lindë e rritë e që mbahet në kujtësen historike si qytet i shprehjes së kulturës qytetare përmes këngëve për lulet të cilat personifikojnë vajzat e gratë, nuk me duket ma njësoj. E po ta shohësh thellë në histori prej djemve e burrave të këtij qyteti kanë dalë vargjet e zemrës që ia kanë dhuru aq bujarisht si tufa lulesh shumëngjyrëshe të dashurave të zemrës

E sot shikoj me pikëllim rrugëtimin e mundimshëm të shumë grave e vajzave të dhunuara të cilat e kanë të vështirë t`ia dalin e në disa raste ka fatkeqe të cilat dora e pamëshirshme ia prêt ëndrrën e jetës në mes !!! Në bashkinë e Shkodrës, vetëm gjatë 2020-ës, janë të raportuara nga organet e policisë 158 kërkesa për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje nga vajza e gra që dhunohen nga bashkëshortët, baballarët, vëllezërit, partnerët e shpesh here nga djemtë e tyre. Ndofta kjo e fundit duket sikur nuk ndodh por po ju them që është e kundërta e saj. Ndodh dhe shpesh, sepse mendoj se kjo lloj dhune vjen pak natyrshëm dhe ne nënat e tolerojmë nga pak. Duke ushqyer ndjenjat maskiliste te djemtë tanë që në hapat e parë të rritjes së tyre. Kujtoj me dhimbje rastet e pashpresa kur djemtë kanë goditur për vdekje nënat e tyre. E dhimbshme deri në kocke dhe e trishtë

Po ne, cfarë po bëjmë? A thu mundemi me ujitë çdo ditë nga pak lulen, e ta ruajmë që të mos vyshket, të plaket e të mbyllë sytë nga egërsia e brutaliteti? PO, sigurisht që PO

Para nesh, sfida të panumërta të cilat kanë në fokus ndërgjegjësimin e grave e vajzave të dhunuara për t`i denoncuar rastet e dhunës, të gjitha formave të dhunës jo vetëm atë fizike por edhe dhunën ekonomike, seksuale e atë psikologjike. Me keqardhje vërej se dhuna psikologjike është bërë shumë më e pranishme si rrjedhojë e rritjes së stresit, pasigurisë dhe një ekonomie të paqëndrueshme që po e jetojmë çdo ditë.

Para nesh si përfaqësues te organizatave të shoqërisë civile na del detyra të punojmë për të ndërgjegjësu jo vetëm gratë dhe vajzat viktima të dhunës por të gjithë komunitetin për të denoncuar rastet e dhunës për të cilat jemi dëshmitar, vetë fëmijët mund të denoncojnë dhunën në familje. Askush nuk duhet të jetë i pandjeshëm ndaj dhunës pavarësisht se nuk e prek atë vetë. Mund të duket e gjë e parëndësishme por është një kontribut themelor për të ndaluar dhunën- këtë të keqe të pandalshme në jetën tonë

Me krijimin e Mekanizmit të Koordinuar për Referimin e rasteve të dhunës në pothuajse çdo bashki është mundësuar që ti jepet përgjigje vuajtjeve të grave e vajzave që janë viktima të dhunës. Gjatë tre viteve të fundit Aleanca Gjinore për Zhvillim ka ndërmarrë iniciativën për monitorimin e ketij mekanizmi, i cili për të qenë efiçent duhet të koordinojë punën e të gjithë aktorëve, institucioneve dhe bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile për ndarjen e detyrave, përgjegjësive institucionale për të siguruar kthimin e dinjitetit të viktimave të dhunës dhe integrimin e tyre në shoqëri. Falë përkushtimit profesional të sejcilit që ka në dorë të bëjë më të mirën për këtë çështje, siç e kam parë në jo pak raste, të gjithë bashkë mund tia dalim

Këtë vit nga “bletët punëtore” (organizatat e shoqërisë civile që ndihmojnë me përkushtim gratë e vajzat e dhunuara) u realizua një fushatë me sloganin kuptimplotë “Burrat dinë me dashtë”

Një slogan me prekje pozitive, një dorë e shtrirë për jetën në emër të dashurisë, një ftesë për respekt e mirëkuptim. Po vërtetë, burrat dinë me dashtë, se janë pasardhësit e atyre baballarëve të fortë po me shpirt të butë e tolerant, që mendohen e diskutojnë para se me vepru. Ky është modeli që duhet të mëkohet te djemtë tanë qysh në hapat e parë nga të dy prindërit, nga gjyshërit, nga familja e gjithë shoqëria

E theksoj rolin qe ka babai në këtë process të gjatë. Babai duhet të jape modelin e vet në rritjen e fëmijëve e në veçanti të djemve duke qenë pranë famlijes, duke trajtuar me dashuri bashkëshorten, prindërit e vet e natyrisht dhe fëmijët e vet. Shkodra ka plot shembuj pozitivë edhe në ditët e sotme të cilët duhet ti promovojmë e të mos kemi ndroje, se në fund të fundit janë në të drejtë të Zotit e të shoqërisë. Ndërsa për mua, kjo ftesë fillon nga vetë unë, nëna.

Nëse i mësojmë djemtë tanë e punojme me ta se si të duan, si të jenë mendjehapur, tolerantë e të mirëkuptueshëm, si të thonë “më fal” e “ te dua” besoj se kemi mbjelle një të ardhme me shumë më pak dhunë.Ndaj apeli im është: Nëna, kujdesuni për rritjen e djemve tuaj, duajini ata por pa i përkëdhelur sedrën mashkullore, hap themelor për ti thënë JO Dhunës

Arbana Dibra Dhjetor 2020